Kovaçevski: Sot është dita kur fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Maqedonisë së Veriut

Kryeministri Kovaçevski sqaroi se janë marrë vendime patriotike në interes të së ardhmes së shtetit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u adresua pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare në Bruksel, me ç’rast ai tha se hapi i parë drejt të ardhmes së vendit është bërë, ndërsa ëndrra tredekadëshe është e arritshme.

Menjëherë pas përfundimit të konferencës së parë ndërqeveritare që u mbajt në Bruksel, kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Oliver Varhelyi, mbajtën konferencë për media.

“Sot është dita kur fillojmë të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Maqedonisë së Veriut, kapitull i zhvillimit, prosperitetit dhe stabilitetit të përshpejtuar. Dita e sotit është ditë historike për ne, e shumëpritur dhe meritore”, tha Kovaçevski

Ai sqaroi se janë marrë vendime patriotike në interes të së ardhmes së fëmijëve dhe shtetit.

“Nuk ekziston patriotizëm më i madh se vizioni dhe plani i qartë për të ardhmen, përpjekja për prosperitet të shtetit dhe të të gjithë qytetarëve. E sollëm edhe vendimin përfundimtar me të cilën siguruam ruajtjen dhe forcimin e identitetit maqedonas, gjuhës, kulturës dhe veçorisë maqedonase”, potencoi Kovaçevski.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian e pranon popullin maqedonas dhe gjuhën maqedonase, me respekt të pakushtëzuar për dinjitetin dhe veçantinë e popullit maqedonas dhe veçoritë e tij identitare, historike dhe kulturore. Kjo, siç tha ai, është e siguruar përgjithmonë.

Për këto gjëra as nuk negociohet dhe as nuk do të negociohen, deklaroi Kovaçevski.

“Kam besim se qytetarët do të dalin fitues nga ky proces, se të gjithë së bashku do të dalim më të fortë, më stabil dhe do të ecim shpejt përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët më prosperuese. Jam i bindur se ndihma e vazhdueshme që do të ofrojë Bashkimi Evropian në periudhën e ardhshme do t’u mundësojë qytetarëve dhe ekonomisë së Maqedonisë së Veriut të marrin mbështetje konkrete dhe reale, në mënyrë që realitetin evropian ta jetojmë sot dhe në mënyrën e duhur”, tha Kovaçevski.

Aspiratat tona, theksoi kryeministri, janë vlerat dhe parimet evropiane të lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të së drejtës. Ai shtoi se janë të lidhur natyrshëm me Bashkimin Evropian ndërsa tani e tutje edhe bashkërisht do të zhvillohen dhe do të zhvillojnë edhe rajonin.

“Ne po ndërtojmë miqësi. Jemi të përkushtuar për të gjetur zgjidhje të pranueshme reciprokisht, prandaj qëndrojmë me krenari krah për krah me partnerët tanë në Bashkimin Evropian. Ne ndajmë të njëjtat vlera dhe tani e tutje do të ndajmë edhe një të ardhme evropiane, të ardhme në të cilën të gjitha veçoritë, specifikat, traditën, kulturën, zakonet tona do të jenë autentikisht tonat, maqedonase, të shpërndara me të gjithë miqtë tanë në BE. Kjo do të na bëjë ne dhe BE-në më të pasur”, sqaroi Kovaçevski.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut do të zhvillohet ekonomikisht, politikisht dhe në aspektin shoqëror, ndërsa qytetarët do të kenë cilësi më të lartë të jetës me standarde të larta dhe respektim të ligjeve.

Komisari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, theksoi se sot është një ditë e rëndësishme edhe për Maqedoninë e Veriut edhe për Bashkimin Evropian.

“Kjo konferencë ndërqeveritare politike është fundi i një procesi të gjatë dhe fillim i një faze të re të negociatave aderuese. Diçka që shpresoj se do të ecë shumë shpejtë”, theksoi Varhelyi.

Duke theksuar se kjo konferencë ndërqeveritare është e një rëndësie të madhe, Varhelyi tha se Maqedonia e Veriut ka treguar vendosmëri për të avancuar rrugën drejt BE-së dhe se Maqedonia e Veriut ishte dhe është një partner i besueshëm në atë rrugë.

“Ne ju duam në BE. Këtu nuk ka dyshime. Sot po dërgojmë një mesazh të fuqishëm për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Nga ana e Komisionit, do të bëjmë gjithçka që mundemi për të përshpejtuar procesin e negociatave për Maqedoninë e Veriut”, tha ai.

Në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që shënon hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE.

Shefja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e ka konsideruar “moment historik” hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kategoritë
LajmeRajoni