KPK merr vendim për transferimin e dy prokuroreve në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e 230-të të mbajtur të martën, ka vendosur që dy prokuroret e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Ajtene Zoni dhe Albana Parduzi, të transferohen përkohësisht për një periudhë prej 6 muajve, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm.

Ky vendim është marrë pas kërkesës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, për transferimin e një numri të prokurorëve nga prokuroritë tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Këtë kërkesë kryeprokurori Ujkani e ka bazuar në gjendjen e jashtëzakonshme të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, për shkak të mungesës së prokurorëve, veçanërisht në Departamentin e Përgjithshëm, ku aktualisht është i angazhuar vetëm prokurori Arjan Xhema.

Pas dorëheqjeve të prokurorëve serbë, me vendim të U.D. të kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë transferuar tre prokurorë, Halim Borovci dhe Zef Prendrecaj nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Ajtene Zoni nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Prokurori Halim Borovci pas një kohe është kthyer në Prishtinë, e i cili është zëvendësuar nga prokurori Astrit Gashi, e ky i fundit pas një kohe të shkurtër është dekretuar në pozitën e gjyqtarit.

Prokurorëve Zef Prendrecaj dhe Ajtene Zoni më 15 maj të këtij viti, iu ka skaduar afati i vendimit të transferimit të përkohshëm në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Kështu, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, në mbledhjen e së martës, ka konstatuar se prokuroret Ajtene Zoni dhe Albana Parduzi kanë shprehur vullnetin e tyre që të transferohen përkohësisht apo përherë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pasi të njëjtat kanë deklaruar se i plotësojnë kushtet për transferim, nuk kanë asnjë masë diciplinore, janë të gatshme të ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes alarmante në Mitrovicë, dhe kanë marrë edhe pëlqimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Në mbledhjen e së martës, KPK vendosi që prokurorja Ajtene Zoni të transferohet përkohësisht për një periudhë prej 6 muajve, nga dita e nesërme në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pasi e njëjta ka qenë e angazhuar që nga 15 nëntori i vitit të kaluar, e deri më 15 maj të këtij viti, ka lëndë aktive atje, dhe ka qenë koordinatore për rastet e dhunës në familje.

Ndërsa, prokurorja Albana Parduzi do të transferohet në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë po ashtu për një periudhë prej 6 muajve, që nga data 5 qershor 2023, pasi nevojitet kohë për shkarkimin nga lëndët me të cilat është aktualisht e ngarkuar, në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Po ashtu, KPK vendosi që më 1 qershor 2023 të hapet konkursi i brendshëm për transferimin e përhershëm të prokuroreve Zoni dhe Parduzi në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Kategoritë
LajmeVendi