​KQZ -ja shkatërron materialin e zgjedhjeve lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka shkatërruar materialin zgjedhor të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Shkatërrimi i këtyre materialeve u bë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar shkatërrimin e materialeve zgjedhore të Zgjedhjeve Lokale të mbajtur në tetor te vitit të kaluar. Elezi tregoi se në përgjithësi është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2,200 vendvotimeve.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me shkatërrimin e materialit zgjedhor të Zgjedhjeve Lokale që u mbajtën në tetor dhe nëntor të vitit 2021. Sipas vendimit të KQZ-së, pjesë të materialit që do të shkatërrohen janë fletëvotimet, formularët e rezultateve, listat e votuesve dhe të tjera. Marrë në përgjithësi, është planifikuar të shkatërrohet materiali zgjedhor i më shumë se 2,200 vendvotimeve” tha ai.

Sipas tij, KQZ-ja do të ruajë si prova materialin zgjedhor të rreth 280 vendvotimeve për shkak të dyshimit për vepra penale kundër të drejtës së votimit.

“ Nga ky proces do të përjashtohet materiali zgjedhor i rreth 280 vendvotimeve dhe këtu përfshihen edhe materialet që i takojnë procesit të votimit me kusht dhe atij me postë. Këto materiale zgjedhore u takojnë komunave të ndryshme dhe do të ruhen si prova për qëllime të hetimit nga institucionet përkatëse shtetërore deri në përfundimin e të gjitha çështjeve,” theksoi Elezi.

Kategoritë
LajmeVendi