Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka njoftuar të enjten se gjatë periudhës shtator e deri më 11 dhjetor të këtij viti kanë aplikuar 28 subjekte politike, prej tyre 20 parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Në një konferencë për media, zëdhënësi në KQZ, Valmir Elezi ka theksuar se numri i përgjithshëm i kandidatëve për deputetë, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është 1 mijë e 280 kandidatë.
Me këtë rast, Elezi ka potencuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë nga institucionet kompetente të bëjnë verifikimet e nevojshme për përshtatshmërinë apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.