KQZ nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), kanë marrë vendim që të mos certifikojnë, Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, 2025.

Edhe pse zyra për regjistrimin dhe akreditimin e subjekteve politike rekomandoi që Lista Serbe të certifikohet për zgjedhjet e përgjithshme, megjithatë ishin dy vota kundër, dy për dhe shtatë abstenime.

Dy anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kanë kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme.

Kurteshi ka shprehur rezerva serioze ndaj prezantimit dhe qëndrimeve të kandidatëve të Listës Serbe.

Ai theksoi se kjo listë nuk i referohet Republikës së Kosovës, por përdor termin “Kosovo i Metohija”, dhe se përfaqësuesit e saj vazhdojnë të mbajnë lidhje të ngushta me pushtetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurteshi solli në vëmendje përfshirjen e kësaj liste në aktivitete të dyshimta, duke përmendur edhe lidhjet me sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundmi në Ibër Lepenc. Ai gjithashtu prezantoi një audio-incizim ku dëgjoheshin thirrje kundër Republikës së Kosovës nga një prej përfaqësuesve të Listës Serbe.

Alban Krasniqi, një tjetër anëtar i VV-së në KQZ, po ashtu doli kundër certifikimit të Listës Serbe dhe kërkoi veprim konkret nga Prokuroria e Shtetit për të adresuar shqetësimet që lidhen me këtë subjekt politik.

Shqetësime mbi certifikimin e Listës Serbe u shprehën edhe nga disa përfaqësues të opozitës. Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.

Elshani kujtoi se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për listën kandidatëve të subjektit politik.

“Të gjithë ne e dimë se kush është Lista Serbe. Është mirë që edhe institucionet e Kosovës të na tregojnë se kush është ky subjekt politik”, ka thënë Elshani.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi