KQZ refuzon rivlerësimin e votave me postë që u shpallën të pavlefshme

KQZ gjatë mbledhjes së sotme ka refuzuar rekomandimin e Sekretariatit për rivlerësim të votave me postë që u shpallën të pavlefshme.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ’së, Besnik Buzhala tha se bëhet fjalë për gjithsejt 1631 fletëvotime të pavlefshme.

Anëtari i KQZ’së nga PDK, Ilir Gashi, ka thënë se kjo kërkesë nuk duhej të vinte nga Sekretariati dhe se nuk e mbështet propozimin.

“E kam thënë edhe më herët që procesi i votimit në diasporë është i kontaminuar”, tha ai.

Ndërkaq anëtari i VV’së në KQZ, Sami Kurteshi, tha se e përkrah këtë propozim.

“Unë mendoj që duhet të nxirren të gjitha fletëvotimet e pavlefshme nga kutitë e votimit jashtë vendit dhe të shikohen një nga një dhe ato që bien në kategori që i ka cekur PZAP të llogariten dhe të numërohen si të vlefshme”, tha ai.

Anëtari tjetër i PDK’së, Arianit Elshani, tha se “nuk e kupton fillin e shpejtësisë së rekomandimeve”.

Ndërsa anëtari i VV’së, Alban Krasniqi, ka thënë se “ligji i ri thotë qartë se kur qëllimi i votuesit është i qartë, ai fletëvotim është i vlefshëm”.

Kategoritë
LajmeVendi