KQZ zgjat deri në mesnatë afatin për dorëzimin e listave për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur deri në mesnatë afatin për aplikim të subjeteve politike për certifikim si dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë, shkruan Gazeta online Reporteri.net.

Kështu tha para mediave, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zgjatur afatin për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, deri në orën 23:59 të ditës së sotme, e mërkurë, 11 dhjetor 2024.

Këtë vendim, KQZ e mori gjatë mbledhjes së sotme duke pasur në konsideratë se për herë të parë ky proces realizohet përmes platformës online http://certifikimi.kqz-ks.org dhe disa nga subjektet politike kanë pasur vështiësi në përdorimin e platformës”, tha Elezi para gazetarëve.

Në mbledhjen e fundit u bë e ditur se deri tani 10 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim.

Ndërsa u bë e ditur se mbi 30 mijë aplikime për regjistrim kanë qenë nga diaspora, ku 1990 prej tyre janë refuzuar.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi