Krahasohen statistikat e Lewandowskit, Kane dhe Haaland këtë sezon – ka një fitues të qartë

Robert Lewandowski, Erling Haaland dhe Harry Kane janë tre prej sulmuesve më të mirë në futbollin evropian dhe një krahasim i statistikave të tyre në ligat përkatëse këtë sezon, ka dhuruar disa përgjigje tejet interesante.

Ylli norvegjez Haaland, ka shënuar 15 gola në 17 ndeshje të luajtura në të gjitha garat këtë sezon, ani pse ai dhe Man City po kalojnë në një periudhë të vështirë së fundmi.

Kane është një legjendë e Ligës Premier falë ‘shpërthimit’ të tij me Tottenhamin, atje ku shënoi 280 gola në 435 ndeshje, para se të transferohej tek Bayerni në 2023 për 100 milionë euro.

Që prej se u transferua në Gjermani, Kane ka shënuar 64 gola në 62 ndeshje, duke përfshirë 14 sosh në 11 ndeshje në Bundesliga.

Lewandowski në anën tjetër, iu bashkua Barcelonës nga Bayerni në 2022, teksa në Gjermani ishte autor i 344 golave të shënuar në 375 ndeshje të luajtura.

Reprezentuesi polak e ka vazhduar shënimin e golave edhe në La Liga, ku pas 113 ndeshjeve me fanellën e Barçës, ai numëron 79 gola të shënuar.

Duke përdorur disa mjete të krahasimit nga Squawka, është detajuar paraqitja e të tre lojtarëve brenda 90 minutave këtë sezon dhe mund të themi lirshëm se Harry Kane është lojtari më superior mes tyre.

Kapiteni i Anglisë dominon pothuajse në të gjitha kategoritë, duke përfshirë numrin e golave dhe asistimeve për ndeshje, pasimet e kompletuara, saktësinë e pasimeve, penalltitë e fituara.

Këtu përfshihet gjithashtu përqindja e finalizimit të aksioneve, pasimet e gjata, harkimet dhe shumë statistika të tjera

Kategoritë
LajmeSport