Një rrogë e majme, bonus shtesë dhe kredi pa interes për blerjen e një shtëpie – kjo është oferta që u është bërë të rinjve ukrainas që pranojnë të luftojnë në vijat e para të frontit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Dy muaj pasi Ukraina nisi një fushatë kombëtare për rekrutimin e të rinjve për një vit shërbim ushtarak, vetëm rreth 500 persona kanë firmosur kontrata, sipas Pavlo Palisa-s, këshilltar ushtarak i presidentit Volodymyr Zelensky.
Ky numër i ulët për momentin ofron pak lehtësim për forcat e lodhura të mbrojtjes së Ukrainës, të cilat janë numerikisht të tejkaluara nga ushtria ruse pas tri vitesh lufte, që ka shkaktuar qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Pavlo Broshkov, një nga të paktët që kanë pranuar ofertën, tha se e sheh shërbimin ushtarak si detyrim moral dhe dëshiron ta mbrojë vajzën e tij gjashtë muajshe, Polinën, nga tmerri që ai vetë ka përjetuar gjatë rritjes në kohë lufte.
“Nuk dua që fëmija im të dëgjojë ndonjëherë fjalën ‘luftë’,” tha 20-vjeçari, një nga shtatë rekrutët e rinj që Reuters intervistoi. Ai pritet të dërgohet në front për rreth dy muaj.
Si baba i ri që ëndërron të blejë një banesë për familjen, Broshkovi e tërhoqi edhe aspekti financiar i rekrutimit. Fushata, e nisur në shkurt, është e drejtuar ndaj të rinjve nga 18 deri në 24 vjeç që janë të gatshëm të marrin pjesë aktive në luftime.
Përveç hipotekës pa interes, paketa përfshin një rrogë mujore deri në 2.900 dollarë – shumë më lart se mesatarja kombëtare prej rreth 520 dollarësh – bonus në para prej 24.000 dollarësh dhe përjashtim nga mobilizimi për një vit pas përfundimit të shërbimit.
Gruaja 18-vjeçare e Broshkovit e kupton nevojën e tij për të mbrojtur vendin, por është e shqetësuar për rreziqet.
“Vdekja po e ndjek burrin tim dhe mund ta kapë në çdo moment. Paratë janë motivim, por të vdesësh për para nuk ia vlen,” tha Kristina Broshkova.
Rekrutët e rinj po përgatiten të shkojnë në front në një kohë kur forcat ruse po sulmojnë në disa drejtime, edhe pse administrata amerikane e presidentit Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një armëpushim të dakorduar.
Zelensky tha në janar se Ukraina ka 980.000 ushtarë të armatosur, ndërkohë që vitin e kaluar presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi rritjen e numrit të trupave ruse në 1.5 milionë.
Mobilizimi në Ukrainë ka qenë në fuqi për shumicën e meshkujve të rritur që nga pushtimi i plotë rus më 2022. Vitin e kaluar, Kievi uli moshën minimale për rekrutim të detyrueshëm nga 27 në 25 vjeç, për të forcuar ushtrinë.
Kjo skemë rekrutimi për të rinjtë paraqet një largim nga mobilizimi i detyrueshëm – i cili ka hasur në mosbesim nga publiku – dhe është pjesë e përpjekjeve për të bërë ushtrinë më profesionale dhe më të qëndrueshme, sipas zyrtarëve.
Mosha mesatare e ushtarëve ukrainas në vijën e parë është 45 vjeç, sipas një burimi të lartë diplomatik që ka njohuri për kapacitetet mbrojtëse të vendit.