Kremlini: Aderimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk e rrit sigurinë e rajonit

Duke folur për gazetarët në Moskë, Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov vuri në dukje se vendi i tij nuk ka ndonjë mosmarrëveshje kufitare me Finlandën dhe Suedinë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitriy Peskov deklaroi se aderimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk do ta rrisë sigurinë e rajonit.

Duke folur për gazetarët në Moskë, Peskov vuri në dukje se vendi i tij nuk ka ndonjë mosmarrëveshje kufitare me Finlandën dhe Suedinë.

“Nga ana tjetër, nëse Ukraina do të kishte hyrë në NATO, Rusia do të kishte pasur një mosmarrëveshje kufitare me një vend anëtar të NATO-s, gjë që do të kishte krijuar rreziqe serioze për sigurinë në të gjithë rajonin”, shtoi ai.

Pasojat e mundshme të aderimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO duhet të shqyrtohen në thellësi,- tha Peskov dhe e vijoi kështu argumentin e tij:

“Ne nuk jemi të bindur se aderimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të forcojë ose përmirësojë arkitekturën e sigurisë në kontinentin tonë (Evropë).

Dmitriy Peskov theksoi se ata janë të shqetësuar për këtë proces, ndërsa shtoi:

“Kjo është diçka që na shqetëson. Ne do të vëzhgojmë nga afër se çfarë pasojash do të ketë aderimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO për sigurinë tonë, e cila duhet të garantohet patjetër.”

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Ryabkov tha gjithashtu se vendimi i Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO nuk do të forcojë sigurinë e këtyre vendeve.

“Iniciativat suedeze dhe finlandeze për të hyrë në NATO janë një gabim i madh me pasoja të rënda. Për ne është e qartë që siguria e të dy vendeve nuk do të forcohet si rezultat i këtij vendimi. Nuk duhet menduar se ne do të japim një reagim të thjeshtë ndaj këtij vendimi. Niveli i tensionit ushtarak do të rritet”, u tha gazetarëve Ryabkov në Moskë.

Presidenti finlandez, Sauli Niinistö dhe kryeministrja finlandeze, Sanna Marin bënë një deklaratë të përbashkët të enjten, ku kishin thënë:

“Anëtarësimi në NATO do të forcojë sigurinë e Finlandës. Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”.

Kurse kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson tha se vendi i saj ka nevojë për garanci zyrtare sigurie, gjë që do të vijë me anëtarësimin në NATO.

Suedia dhe Finlanda pritet të aplikojnë për anëtarësim në NATO deri të mërkurën.

Kategoritë
BotaLajme