Kremlini: Akoma asnjë kontakt mes Rusisë dhe Vatikanit për vizitën e Papës në Moskë

“Vizita në nivelin më të lartë duhet të përpunohet dhe të paraprijnë përgatitjet. Deri më tani, me sa di unë, nuk ka pasur kontakte thelbësore në këtë drejtim”, tha Dmitry Peskov

Lidhur me vizitën e Papa Françeskut në Moskë, Kremlini ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pasur kontakte konkrete mes Rusisë dhe Vatikanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Vizita në nivelin më të lartë duhet të përpunohet dhe të paraprijnë përgatitjet. Deri më tani, me sa di unë, nuk ka pasur kontakte thelbësore në këtë drejtim”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, në një konferencë për media në Moskë, duke komentuar dëshirën e Papës për të vizituar Moskën “sa më parë” pas udhëtimit të tij në Kanada.

Peskov tha se pavarësisht kërkesës së madhe, hyrja e grurit rus në tregjet globale përballet me shumë pengesa për shkak të “sanksioneve të paligjshme” të Bashkimit Evropian (BE).

Në lidhje me bisedimet që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Türkiye-s për krijimin e korridoreve për eksportin e grurit të Ukrainës, Peskov tha se Ministria e Mbrojtjes dje lëshoi një deklaratë përkatëse për këtë çështje.

Dje, ministri rus i Mbrojtjes, Sergey Shoygu, tha se pala ruse ka krijuar dy korridore humanitare për lëvizjen e anijeve civile dhe se rreziku i minave në ujin e portit të qytetit Mariupol është eliminuar plotësisht.

Po ashtu edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, dje njoftoi synimet e tij për të intensifikuar kontaktet me Rusinë dhe Ukrainën për të krijuar një korridor të grurit për eksportin e produkteve bujqësore nga portet ukrainase.

Kategoritë
BotaLajme