Kremlini: Dhënia e statusit të kandidatët në BE për Ukrainën dhe Moldavinë kërkon rritjen e vëmendjes së Rusisë

“Kjo kërkon rritjen e vëmendjes sonë, sepse ne të gjithë e dimë për intensifikimin e diskutimeve në Evropë për forcimin e komponentit të mbrojtjes në BE, komponentit ushtarak, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se dhënia e statusit të kandidatët për në Bashkimin Evropian (BE) për Ukrainën dhe Moldavinë kërkon rritjen e vëmendjes së Rusisë mes planeve të BE-së për të forcuar sektorët e saj ushtarakë dhe të mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Shën Petersburg, Peskov tha se shumë transformime aktualisht po ndodhin në BE, që kanë nevojë për vëmendje.

“Kjo (dhënia e një statusi kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë) kërkon rritjen e vëmendjes sonë, sepse ne të gjithë e dimë për intensifikimin e diskutimeve në Evropë për forcimin e komponentit të mbrojtjes në BE, komponentit ushtarak, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Peskov.

Duke iu referuar bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë, Peskov tha se Kievi ishte “jashtë kontaktit” për këtë temë që nga muaji prill dhe se Moska u kërkoi liderëve të BE-së të bindin autoritetet ukrainase që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

“Rusia është e hapur për procesin e negociatave presidenti Putin është i hapur për procesin e negociatave. Qëndrimi ynë është i njohur, është vendosur në letër dhe u është dorëzuar ukrainasve”, theksoi Peskov.

Ai konfirmoi se ka “kontakte të caktuara” me Kievin për eksportin e grurit, megjithëse qëndrimi i Ukrainës nuk është i qartë.

“Aty po mbahen kontakte të caktuara. Ka akoma shumë paqartësi me qëndrimin e palës ukrainase. Kjo është gjithçka që mund të them tani”, u shpreh ai.

Sot, Komisioni Evropian rekomandoi statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë.

Vetëm katër ditë pasi filloi lufta Rusi-Ukrainë më 24 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nënshkroi zyrtarisht kërkesën e vendit të tij për t’u anëtarësuar në BE.

Të frymëzuar nga kërkesa e Ukrainës, edhe Gjeorgjia dhe Moldavia më 3 mars paraqitën aplikimet e tyre për anëtarësim në BE.

Komisioni Evropian dha vlerësimin e tij për kandidurën në BE me një shpejtësi të paprecedentë për shkak të luftës në Ukrainë.

Kategoritë
BotaLajme