Kremlini: Nuk është folur për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë në bisedimet ruso-amerikane në Istanbul

“Këto janë negociata midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Departamentit të Shtetit vetëm për rregullimin dhe normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se gjatë bisedimeve të sotme në Istanbul, Rusia dhe SHBA-ja u përqendruan ekskluzivisht në temën e normalizimit të punës së misioneve diplomatike dhe nuk diskutuan zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, transmeton Anadolu.

“Këto janë negociata midis Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Departamentit të Shtetit vetëm për rregullimin dhe normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha Peskov në një konferencë për shtyp në Moskë.

Sot më herët, raundi i dytë i bisedimeve midis SHBA-së dhe Rusisë filloi dhe deri më tani ka zgjatur mbi tre orë.

Të martën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, tha se delegacionet do të takohen për të adresuar përpjekjet për të “stabilizuar më tej operacionet e misioneve të tyre dypalëshe”.

Bisedimet, që zhvillohen në rezidencën e konsullit të përgjithshëm rus në Istanbul, pritet të zgjasin disa orë, por nuk besohet se do të jenë të gjata sa raundi i mëparshëm, i cili zgjati më shumë se gjashtë orë.

Delegacioni rus kryesohet nga ambasadori i Rusisë në SHBA, Alexander Darchiev, ndërsa ekipi amerikan drejtohet nga zv/ndihmës sekretarja e Shtetit, Sonata Coulter.

Para takimit, Darchiev njoftoi se tashmë ishte arritur njëfarë progresi në një numër çështjesh.

Kategoritë
BotaLajme