Peskov kujtoi se kushtet e Konventës së Gjenevës për të Burgosurit e Luftës nuk zbatohen për mercenarët dhe shtoi se fati i robërve do të përcaktohet nga një gjykatë e Republikës Popullore të Donetskut
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se mercenarët amerikanë të kapur në zonën e luftimit në Ukrainë, nga forcat rebele të rajonit Donetsk, mund të ekzekutohen, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne po flasim për mercenarë që kërcënuan dhe cenuan jetën e ushtarëve tanë. Dhe jo vetëm tanët, por edhe ushtarët e Republikës Popullore të Donetskut (DPR) dhe Republikës Popullore të Luhanskut (LPR). Kjo është ajo për të cilën ata akuzohen, se janë mercenarë”, tha Peskov.
Peskov kujtoi se kushtet e Konventës së Gjenevës për të Burgosurit e Luftës nuk zbatohen për mercenarët dhe shtoi se fati i robërve do të përcaktohet nga një gjykatë e Republikës Popullore të Donetskut.
“Ne nuk mund të përjashtojmë asgjë, (përfshirë dënimin me vdekje), sepse është një vendim gjykate. Ne kurrë nuk i komentojmë ato dhe për më tepër nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në vendimet e gjykatës”, tha Peskov.
Javën e kaluar, mediat britanike pretenduan se dy amerikanë, Alexander Drueke dhe Andy Huynh, u kapën pranë qytetit ukrainas Kharkiv.
Rusia nuk i ka konfirmuar, por as nuk i mohuar raportet.
I pyetur nëse Kievi kontaktoi Moskën për rifillimin e bisedimeve të paqes pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, Peskov u përgjigj negativisht.
“Jo, nuk ka pasur (përpjekje për të rifilluar bisedimet)”, tha ai.
Mbi 4.500 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 14 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, përfshirë mbi 7.7 milionë që kanë ikur jashtë vendit.