Kremlini: Pozitive që Ukraina të paktën i ka formuluar konkretisht propozimet e saj

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të mërkurën se fakti që Ukraina po i konkretizon propozimet e saj është një diçka pozitive.

Kjo deklaratë e Dmitry Peskovit erdhi gjatë një konference shtypi në kryeqytetin Moskë të Rusisë, ku ai bëri vlerësime për negociatat e zhvilluara të martën në Stamboll ndërmjet delegacioneve ruse e ukrainase dhe për çështje të tjera në rend të ditës.

Ai bëri me dije se shefi i delegacionit rus në negociata, Vladimir Medinsky, këshilltar i Presidentit Vladimir Putin, do të japë sot informacione të detajuara rreth bisedimeve në Stamboll.

“Është pozitive që Ukraina të paktën i ka formuluar konkretisht propozimet e saj dhe ka filluar t’i hedhë ato në letër. Deri tani ishte e pamundur ta bënim këtë. Kjo është një diçka pozitive”, tha zëdhënësi presidencial rus.

Peskovi vuri në pah se megjithatë s’mund të bënte një koment shumë premtues për rezultatin e negociatave.

“Deri më tani nuk mund të themi se është një pikë kthese shumë premtuese, ka ende shumë punë për të bërë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i Kremlinit vlerësoi gjithashtu procesin e tranzicionit në pagesë me rubla për eksportet e gazit natyror rus në vendet perëndimore.

“Pagesat dhe dërgesat e gazit janë një proces që kërkon kohë. Afati i vendosur nga Putini për përcaktimin e sistemit të pagesave me rubla skadon më 31 mars. Kjo nuk do të thotë që dërgesat do të bëhen nesër dhe pagesat do të bëhet me rubla mbrëmjen e së njëjtës dite”, sqaroi ai.

Dmitry Peskovi tërhoqi vëmendjen se Rusia mund të kalojë në sistemin e pagesave me rubla edhe për produkte të ndryshme të eksportit.

“Zgjerimi i përdorimit të monedhave kombëtare është një fushë mbi të cilën po punon edhe qeveria jonë. Kjo është në interesin tonë dhe të partnerëve tanë”, u shpreh zyrtari rus mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme