Kremlini : Procesi për bashkimin e rajoneve në Ukrainë me Rusinë “do të përparojë shpejt”

Nëse referendumet rezultojnë me vendimin për bashkim me Rusinë, rajonet në fjalë do të mbrohen, shpjegoi zëdhënësi Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se pas referendumit të mbajtur në Donbas dhe rajone të tjera në Ukrainë, procesi lidhur me bashkimin e tyre me Rusinë do të përparojë “në mënyrë të shpejtë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Peskov vlerësoi referendumet që filluan sot për bashkim me Rusinë në të ashtuquajturat republikat popullore Donetsk dhe Luhansk nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, si dhe në rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson.

Nëse referendumet rezultojnë me vendimin për bashkim me Rusinë, rajonet në fjalë do të mbrohen, shpjegoi Peskov i cili tha më tej se përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë rajonet do të vlerësohen si “sulm i kryer ndaj Rusisë”.

Peskov informoi se procesi lidhur me bashkimin e rajoneve me Rusinë sipas rezultateve të referendumit do të përparojë në mënyrë të shpejtë në nivel administrativ. “Jam i sigurt se ky proces do të jetë shumë i shpejtë”, tha Peskov.

Referendumet për të cilat presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se do t’i mbështesin, do të vazhdojnë deri më 27 shtator.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, duke reaguar më parë ndaj vendimeve për referendum, është shprehur se “referendumet e rreme nuk do të ndryshojnë asgjë”.

Kategoritë
BotaLajme