Kremlini: Putin dhe Trump mund të takohen javën e ardhshme

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë e një date të mëvonshme, duke theksuar se organizimi i bisedimeve të tilla të nivelit të lartë kërkon kohë dhe përgatitje të gjera

Një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump mund të zhvillohet madje gjatë javës së ardhshme, tha sot Kremlini, raporton Anadolu.

Putin dhe Trump mund të takohen para fundit të shkurtit, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në një konferencë shtypi në Moskë. Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e një date të mëvonshme, duke theksuar se organizimi i bisedimeve të tilla të nivelit të lartë kërkon kohë dhe përgatitje të gjerë nga Ministria e Jashtme ruse.

Peskov foli edhe për negociatat e së martës Rusi-SHBA në Arabinë Saudite, duke thënë se fokusi kryesor ishte rivendosja e marrëdhënieve dypalëshe.

“Detyra kryesore tani është pikërisht ajo që po ndodh në këtë moment. Kjo temë lidhet kryesisht me rigjallërimin e marrëdhënieve, pasuar me rivendosjen e plotë të tyre”, vuri në dukje ai.

Marrëdhëniet Rusi-SHBA ishin të ftohta nën presidentin Joe Biden, veçanërisht pas shkurtit të vitit 2022, kur filloi lufta në Ukrainë. Gjatë mandatit të tij të mëparshëm presidencial në periudhën 2017-2021, Trump ishte i njohur për marrëdhëniet e tij miqësore me Putinin.

Peskov theksoi se riparimi i lidhjeve midis Moskës dhe Washingtonit do të jetë një proces gradual, që kërkon përpjekje të qëndrueshme diplomatike.

“Është e pamundur të rregullosh gjithçka në një ditë apo edhe një javë. Rruga përpara është e gjatë dhe shumë punë mbetet për t’u bërë. Megjithatë, një hap i parë vendimtar u ndërmor dje”, tha ai.

Peskov shtoi se ndërsa është shumë herët për të nxjerrë konkluzione definitive nga bisedimet, përparimi fillestar është inkurajues.

Bisedimet midis Rusisë dhe SHBA-së në Arabinë Saudite u organizuan për të trajtuar çështjet e përmirësimit të marrëdhënieve, zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe përgatitjen e një takimi midis presidentit rus dhe atij amerikan.

Kategoritë
BotaLajme