Kremlini: Putin mbështet pikëpamjen e Trumpit për të “punuar së bashku”

Zëdhënësi konfirmoi bisedën e parë të drejtpërdrejtë midis presidentit rus dhe atij amerikan që nga shkurti i vitit 2022, duke njoftuar se biseda telefonike zgjati një orë e gjysmë

Kremlini tha të mërkurën se presidenti rus Vladimir Putin mbështet pikëpamjen e presidentit amerikan Donald Trump se ka ardhur koha që ata të “punojnë së bashku”, pasi dy liderët zhvilluan bisedën e tyre të parë telefonike që kur ky i fundit mori detyrën më 20 janar, raporton Anadolu.

“Presidenti rus mbështeti një nga tezat kryesore të kreut të shtetit amerikan se ka ardhur koha që vendet tona të punojnë së bashku”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov tha se biseda mes Putinit dhe Trumpit zgjati pothuajse një orë e gjysmë.

“Gjatë bisedës u prekën temat e zgjidhjes në Lindjen e Mesme, programi bërthamor iranian, si dhe marrëdhëniet dypalëshe ruso-amerikane në sferën ekonomike”, tha më tej Peskov.

Ai tha gjithashtu se Putin ka theksuar në bisedën me Trumpin nevojën për të “adresuar shkaqet rrënjësore” të luftës në Ukrainë dhe ka rënë dakord me të se një zgjidhje afatgjatë mund të arrihet përmes negociatave.

Ai vazhdoi duke thënë se Putin ka përcjellë gatishmërinë e tij për të pritur zyrtarët amerikanë në Rusi, duke shtuar se presidenti rus e ka ftuar Trumpin të vizitojë Moskën.

Ata gjithashtu ranë dakord të organizojnë një takim personal, tha zëdhënësi.

Presidentët diskutuan gjithashtu çështje që lidhen me shkëmbimin e qytetarëve rusë dhe amerikanë, tha Peskov, duke shtuar se Trump e ka siguruar Putinin se pala amerikane do të “përmbushë të gjitha marrëveshjet e arritura”.

Telefonata e Putinit dhe Trumpit ishte e para që u zhvillua mes presidentëve të dy vendeve që nga shkurti i vitit 2022.

Kategoritë
BotaLajme