Kremlini: Sulmi ndaj portit të Odesës nuk duhet të ndikojë në dërgesat e grurit ukrainas

Zëdhënësi Peskov tha se OKB-ja duhet të kryejë pjesën e saj të punës në lidhje me heqjen e “kufizimeve indirekte” mbi eksportet ruse të grurit bazuar në marrëveshjen e arritur në Istanbul

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se sulmi i fundit rus ndaj portit ukrainas të Odesës “në asnjë mënyrë” nuk duhet të ndikojë në fillimin e dërgesës së grurit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Infrastruktura e nevojshme për eksportin e grurit nuk është prekur”, tha Peskov në një konferencë për media në Moskë.

Rusia dje njoftoi se me raketa me precizitet të lartë dhe me rreze të gjatë veprimi shkatërroi një anije luftarake ukrainase dhe raketa kundër anijeve “Harpoon” të furnizuara nga SHBA-ja në portin në Odesa.

Peskov tha se OKB-ja duhet të kryejë pjesën e saj të punës në lidhje me heqjen e “kufizimeve indirekte” mbi eksportet ruse të grurit bazuar në marrëveshjen e arritur në Istanbul.

“Nuk ka kufizime të drejtpërdrejta, por ka të tërthorta që nuk lejojnë dërgesat e plota që janë aq të nevojshme për tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për ato rajone të botës ku uria fillon të jetë veçanërisht e prekshme. Është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Peskov tha se është e nevojshme të pritet fillimi i mekanizmit për eksportin e grurit ukrainas përpara se të vlerësohet efektiviteti i tij.

Autoriteti i Porteve Detare të Ukrainës njoftoi dje se filloi vendosjen e kolonave në portet Odesa, Chornomorsk dhe Yuzhne për të eksportuar drithërat jashtë vendit.

Me ndërmjetësimin e Türkiye-s (Turqisë) dhe OKB-së, Ukraina dhe Rusia nënshkruan të premten një marrëveshje në Istanbul për rifillimin e dërgesave të grurit të Ukrainës nga portet e Detit të Zi.

Sipas marrëveshjes, një qendër koordinimi është krijuar për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrjet dhe daljet e porteve, duke garantuar sigurinë e rrugëve.

E vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj ndërmjetësues, Türkiye u koordinua me Moskën dhe Kievin për të hapur një korridor nga qyteti port ukrainas i Odesës për të rifilluar dërgesat globale të drithit të ndaluara prej kohësh për shkak të luftës Rusi-Ukrainë që filloi më 24 shkurt.

Kategoritë
BotaLajme