Kremlini: Ukraina tentoi sulm me dronë ndaj rezidencës së Putinit në Kremlin

“Regjimi i Kievit, mbrëmë kreu tentativë për sulm ajror me dronë në rezidencën e presidentit rus në Kremlin”, theksuan nga Qendra e Medias e Kremlinit

Kremlini deklaroi se Ukraina mbrëmë ka tentuar sulm me dronë ndaj rezidencës së presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Pallatin e Kremlinit, transmeton Anadolu.

“Regjimi i Kievit, mbrëmë kreu tentativë për sulm ajror me dronë në rezidencën e presidentit rus në Kremlin”, theksuan nga Qendra e Medias e Kremlinit.

Sipas njoftimit, tentativa që ka synuar Kremlinin është bërë me dy dronë, të cilët janë neutralizuar me veprimin në kohë të ushtrisë ruse dhe shërbimeve speciale duke përdorur sisteme radari të luftës.

Më tej u bë e ditur se nuk ka pasur dëme materiale apo të pësuar nga dronët dhe pjesët që kanë rënë në oborrin e Kremlinit. “Këto veprime i konsiderojmë si një ‘akt të planifikuar terrorist’ dhe një ‘atentat’ ndaj presidentit në prag të Ditës së Fitores së 9 Majit dhe paradës ku planifikohet të marrin pjesë edhe përfaqësues të huaj”, theksohet në njoftim.

Nga Kremlini tërhiqet vëmendja se si pasojë e këtij “akti terrorist” Putini nuk është plagosur, orari i tij i punës nuk ka ndryshuar dhe vazhdon të punojë si zakonisht. “Pala ruse rezervon të drejtën të marrë masa hakmarrëse kurdo dhe kudo që e sheh të arsyeshme”, thuhet në njoftim.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në deklaratën për gazetarët tha se Putini nuk gjendej në Pallatin e Kremlinit gjatë sulmit.

Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin tha se duke filluar nga sot është ndaluar fluturimi i dronëve në Moskë.

Kategoritë
BotaLajme