Krerë të institucioneve të Kosovës mirëpresin vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave

“Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, shkroi presidentja Vjosa Osmani

Pas vendimit të Parlamentit Evropian (PE) pro liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, krerët e institucioneve të larta në Kosovë kanë reaguar me urime dhe falënderim për Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj tha se vendimi final për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është fitore, jo vetëm për Kosovën, por për demokracinë dhe unitetin në Evropë.

“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi Osmani.

Ajo tha se më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë evropian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj.

“Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, shtoi ajo.

“Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë”

Kryeministri Albin Kurti në reagimin e tij tha se nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen.

“Kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë. Falënderojmë eurodeputetët, Parlamentin Evropian dhe shtetet e Bashkimit Evropian për votën, vendimin dhe mbështetjen”, shkroi Kurti.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës Donika Gërvalla e quajti ditën e sotme si “ditë gëzimi për Kosovën dhe BE-në”.

“Sot Parlamenti Evropian më në fund vendosi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. PE ka qëndruar me ne në çdo hap përgjatë gjithë viteve. Sot falënderova anëtarët kryesorë të PE-së për mbështetjen e tyre vendimtare. Së bashku jemi Evropa!”, shkroi kryediplomatja kosovare.

Vendimi për liberalizimin e vizave do të nënshkruhet më 19 prill

Vendimin pro liberalizimit të vizave ua uroi qytetarëve të Kosovës edhe euro-deputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon, e cila ishte njëra nga zërat më të fuqishëm pro liberalizimit.

Cramon tha se tani qytetarët do të mund të vizitojnë familjarët e tyre dhe miqtë në vendet e BE-së dhe “kjo më bën të lumtur dhe do t’u bëjë juve edhe më të lumtur”.

Vendimi për liberalizimin e vizave do të nënshkruhet zyrtarisht më 19 prill në Strazburg nga PE dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Kategoritë
BotaLajme