Kreu i NATO-s dhe liderët evropianë do të diskutojnë armëpushimin e mundshëm në Ukrainë

Bisedimet pritet të fokusohen në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën dhe praninë e mundshme të trupave paqeruajtëse evropiane në vend

Kreu i NATO-s dhe liderë të shumtë evropianë do të diskutojnë për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Takimi, i cili do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Bruksel, organizohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ndërsa në të do të marrin pjesë liderët e Ukrainës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë, si dhe krerët e Këshillit dhe Komisionit të BE-së, bëri të ditur transmetuesit publik “Radioja Polake”.

Bisedimet pritet të fokusohen në garancitë e ardhshme të sigurisë për Ukrainën dhe praninë e mundshme të trupave paqeruajtëse evropiane në vend, shtoi mediumi polak.

E përditshmja amerikane The Wall Street Journal dje raportoi se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i kishte sugjeruar presidentit francez Emmanuel Macron që trupat evropiane të monitoronin një armëpushim të ardhshëm në Ukrainë.

Kryeministri polak Donald Tusk pas një takimi me Macron-in në Varshavë tha se vendi i tij nuk po planifikonte të dërgonte trupa paqeruajtëse në Ukrainë pas një armëpushimi të mundshëm.

Kategoritë
BotaLajme