– “Njerëzit në Gaza duhet të kenë qasje në kujdesin shëndetësor. Punonjësit humanitarë kanë nevojë për qasje për të ofruar ndihmë shëndetësore”, tha drejtori i OBSH-së, Ghebreyesus
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se spitalet në Rripin e Gazës sërish u shndërruan në fushëbetejë dhe sistemi shëndetësor është nën kërcënim serioz, transmeton Anadolu.
“Spitalet në Gaza sërish u shndërruan në fushëbetejë dhe sistemi shëndetësor është nën kërcënim serioz. Spitali ‘Kamal Adwan’ në veri të Gazës mbeti jashtë shërbimit pas bastisjes (nga Izraeli) dy ditë më parë si dhe pas evakuimit të detyruar të pacientëve dhe stafit dhe arrestimit të drejtorit të spitalit ‘Hussam Abu Safiyya'”, shkroi Ghebreyesus në rrjetin social X.
Ai theksoi se OBSH-ja dhe partnerët e saj sot kanë dorëzuar furnizimet bazë mjekësore dhe higjienike, ushqim dhe ujë në Spitalin Indonezian, ndërsa prej atje kanë transferuar 10 pacientë në gjendje kritike në spitalin “Al-Shifa”.
Ghebreyesus vuri në dukje se 4 pacientë u arrestuan gjatë transferimit dhe i bëri thirrje Izraelit të mbrojë nevojat dhe të drejtat e kujdesit shëndetësor.
Shefi i OBSH-së i bëri thirrje Izraelit të ndalojë sulmet ndaj spitaleve. “Njerëzit në Gaza duhet të kenë qasje në kujdesin shëndetësor. Punonjësit humanitarë kanë nevojë për qasje për të ofruar ndihmë shëndetësore. Duhet të arrihet një armëpushim”, tha Ghebreyesus.