Krimineli i Arkanit nga Bijeljina ka vite që performon në klubet e Beogradit

Srxhan Goluboviç, i njohur si DJ Max, krimineli nga fotografia e famshme e Ron Haviv nga viti 1992, nga Bijeljina, vazhdon të performojë nëpër klubet e Beogradit dhe performanca e tij e fundit ishte natën e Vitit të Ri.

Fotografia e bërë nga fotografi amerikan Ron Haviv në Bijeljina, në të cilën një ushtar serb, pjesëtar i Tigrave të Arkanit, qëllon të vrarën Tifa Shabanoviq, është bërë një nga përshkrimet më të famshme të krimeve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pak javë më parë, Rolling Stone publikoi një storie në të cilën thuhet se ushtari në foton e famshme është Srđan Golubović, dhe se ai ka vite që performon si DJ Max në klubet e Serbisë.

Në llogarinë e tij në Instagram, ai ka bërë të ditur se performanca e tij e fundit ka qenë para disa ditësh, për natën e ndërrimit të viteve në Club Šuma në Ada Ciganlija në Beograd.

Së bashku me DJ Stole, ai formon ekipin Xperiment, i cili performon në festivale në të gjithë Serbinë. Në nëntor ata kishin një performancë në Novi Sad në sallën 2 të Panairit të Novi Sadit, ndërsa pak më herët në prill kishin një performancë në “Forest Fest” në Ada Ciganlija. Golubovic u arrestua nga autoritetet serbe në vitin 2012, jo për krime lufte në Bijeljina, por për posedim të paligjshëm të armëve dhe drogës.

Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës po zhvillon disa procedura në lidhje me krimet e kryera në Bijeljina në prill të vitit 1992, por nuk dihet nëse Srđan Golubović është një nga të dyshuarit.

Më 1 prill 1992, Garda Vullnetare Serbe e Arkanit, së bashku me formacionin e çetnikëve Mirkovi, hynë në Bijelinë dhe disa dhjetëra civilë u vranë menjëherë pas hyrjes dhe trupat e tyre mbetën të shtrirë në rrugë.

Tigrat e Arkanit u mbështetën edhe nga njësia paraushtarake Pantheri e udhëhequr nga Ljubisha Savić “Mauzer”. Së bashku me Gardën Vullnetare Serbe, ata filluan një fushatë dhune kundër boshnjakëve vendas, duke përdhunuar, vrarë, kontrolluar shtëpitë e tyre dhe duke plaçkitur pronat e tyre.

Hetimet e Tribunalit të Hagës më vonë treguan se viktimat u qëlluan “në gjoks, në gojë, në tempull, në pjesën e pasme të kokës, disa nga afër” dhe se asnjëra prej tyre nuk kishte veshur uniforma ushtarake.

Boshnjakët në Bijeljina ishin krejtësisht të befasuar nga aksioni ushtarak dhe nuk kishte asnjë plan serioz mbrojtës. Sulmi i Gardës Vullnetare Serbe në Bijeljina konsiderohet gjithashtu si fillimi i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo që është veçanërisht shkatërruese është fakti se në qendër të Bijeljinës ka një rrugë kushtuar kriminelëve të Arkanit dhe autoritetet vendase shënojnë 1 Prillin si “ditën e mbrojtjes së qytetit”.

 

Kategoritë
LajmeRajoni