“Kritikët kanë punën e tyre”, Deschamps i kënaqur me “Gjelat”: Shoh një entuziasëm të madh

Të premten e 5 korrikut nis edhe faza më e nxehtë e Kampionati Evropian të futbollit, Euro 2024, me sfidën Spanjë-Gjermanisë, që do të çelë siparin e çerekfinaleve, të këtij kompeticioni, mirëpo sfida mes skuadrave më të titulluara në “Kontinentin e Vjetër”, nuk do të jetë e vetmja që do të dhurojë spektakël atë ditë.

Në orën 21:00, “mitiku” i Hamburgut, “Volksparkstadion” do të presë një tjetër “klasike” evropiane, me “Gjelat” e Francës, që përballë tyre do të kenë “Luzianët” e Portugalisë, në një përsëritje të asaj finaleje të madhe, të Euro 2016, ku asokohe Cristiano Ronaldo me shokë siguronin trofeun e parë madhor të Kombëtares së tyre.

Një ditë para sfidë është zhvilluar edhe konferenca zyrtare për shtyp, nga ku tekniku i “Gjelave”, Didier Deschamps theksoi se i mirëpret kritikat që ka marrë skuadra e tij deri në këtë fazë të kompeticionit, por shtoi se ato nuk e shqetësojnë dhe ndër të tjera theksoi se ambienti i Francës është pozitiv, edhe pse e pranoi se dikush mund të jetë i pakënaqur për minutat e pakta.

“Kundërshtari? Portugalia është e rrezikshme dhe Cristiano Ronaldo është gjithnjë një kërcënim. Ka kapacitetin për të shënuar dhe për të qenë agresiv. Portugalia mbetet një kundërshtar i fortë. Nuk e di nëse janë më të fortë nga 2016 apo jo, di që për ne ajo finale ishte e dhimbshme. Jemi në çerekfinale dhe këtu janë më të mirët, unë e di se çfarë i pëlqen të bëjë Roberto Martinezit dhe do të tentojmë të jemi ne në kontroll të ndeshjes.

Probleme brenda skuadrës? Nuk e di, nga njerëzit që janë këtu, unë shoh një entuziazëm të madh. Ndoshta dikush mund të mos jetë i kënaqur, por unë shoh vetëm persona të lumtur. Sigurisht nga ana tjetër është më e bukur kur fiton 5-4, por kritikët kanë punë e tyre. Mua nuk më kanë penguar kurrë për të vazhduar përditshmërinë time.

Mungesa e Rabiot? Kam alternativa të ndryshme”,- përfundoi Deschamps.

Kategoritë
Sport