Krivaça thotë fjalën përfundimtare në rastin e vrasjes së Osmanit: S’e kam bërë me qëllim

Ka thënë fjalën përfundimtare para trupit gjykues të enjten i akuzuari për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça.

Ai ka përsëritur më shkurt ato që pati thënë në seancën e 11 korrikut – se vrasja nuk ka qenë e qëllimshme.

“E mbështes deklaratën e avokatit tim, me vjen keq, nuk e kom bo me qellim, nuk ka qenë e qëllimshme, kom mendu me kriju familje me të, më vjen keq”, ka thënë Krivaça.

Krivaça më 11 korrik pati pretenduar se ai dhe Osmani ishin përdorues të lëndëve narkotike e kishte mohuar se i ka shkaktuar lëndime të rënda asaj duke thënë se e ka goditur me “3-4 shuplaka” por jo me shkop. Ai në seancë pati përsëritur disa herë se Osmani plagët nëpër trup e kokë i kishte marrë si pasojë e rrëzimit nga shkallët.

Krivaça kishte mohuar edhe përfshirjen në çfarëdo mënyre të Arbër Sejdiut në rast.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit. Por rasti është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë.

Në seancën e dytë të rigjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut më 11 qershor, të dy të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Osmanit më 2021, eksperti mjekoligjor pati shpjeguar se vdekja e Osmanit erdhi si pasojë e lëndimeve të rënda dhe të shumëfishta trupore. Raportin e ekspertit e pati kundërshtuar pala mbrojtëse e Krivaçës, duke kërkuar që të përsëriten disa ekzaminime.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi