Njëri nga zëdhënësit e Pentagonit, John Ullyot, ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, duke vazhduar krizën që po zhvillohet brenda Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së. Ai e shpjegoi vendimin e tij për gazetën Politico.
“E kam bërë të qartë për ministrin e mbrojtjes, Pete Hegseth, para inaugurimit se nuk isha i interesuar të jem i nënshtruar askujt në fushën e komunikimit publik,” tha Ullyot.
Ai shtoi se kishin një marrëveshje për të qëndruar në një periudhë të tranzicionit për dy muaj.
“Muajin e kaluar, ndërsa afati po afrohej, Hegseth dhe unë biseduam dhe nuk arritëm një marrëveshje për ndonjë rol tjetër të përshtatshëm për mua në Ministrinë e Mbrojtjes. Prandaj e informova se do të largohesha në fund të kësaj jave,” shpjegoi ai.
Dorëheqja e Ullyot vjen në një moment kritik për ministrin amerikan të mbrojtjes. Hegseth ka nisur një hetim për rrjedhjen e informacioneve sekrete dhe konfidenciale, dhe tre persona brenda Pentagonit janë tashmë dërguar në “pushim të papaguar” për shkak të kësaj hetimi.
Ndër ta janë edhe dy këshilltarë të tij, si dhe shefi i stafit të zëvendësministrit të mbrojtjes, Stephen Feinberg.
Gjithçka nisi me skandalin e mesazheve në aplikacionin Signal, ku Hegseth dhe zyrtarë të tjerë amerikanë ndanë informacione konfidenciale rreth një sulmi të ushtrisë amerikane në Jemen, përkatësisht ndaj grupit Houthi.
Përveç kësaj, Ullyot ishte në qendër të një tjetër polemike për fshirjen e disa personave nga faqja zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai mbrojti vendimin për të hequr nga faqet qeveritare një numër gjeneralësh afro-amerikanë, si dhe figura të tjera të rëndësishme të historisë amerikane që i përkasin kësaj race.
Përndryshe, ai ishte pjesë e administratës së parë të presidentit amerikan Donald Trump, dhe para punës në Pentagon ka shërbyer si zëdhënës edhe në Shtëpinë e Bardhë.