Krizat që vazhdojnë prej vitesh në Liban janë thelluar pas sulmeve izraelite

“Jemi në një situatë të vështirë ku Kryqi i Kuq Libanez po punon në kushte të vështira për të përmbushur nevojat e shoqërisë”, tha kryetarja e Partneritetit të Veprimit të Kryqit të Kuq Libanez, Abou Jaoude

Kryetarja e Partneritetit të Veprimit të Kryqit të Kuq Libanez, Samar Abou Jaoude tha se krizat që shihen prej vitesh në shumë fusha në Liban janë thelluar edhe më tej që nga fillimi i sulmeve të Izraelit, raporton Anadolu.

Jaoude dha një prononcim për gazetarin e AA-së, në Gjenevë ku ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe që këtë vit mbahet për të 34-tën herë.

Duke theksuar se situata në Liban i cili është nën sulmet izraelite, nuk po përmirësohet, Jaoude tha: “Jemi në një situatë të vështirë ku Kryqi i Kuq Libanez po punon në kushte të vështira për të përmbushur nevojat e shoqërisë”.

Ajo bëri të ditur se ata kanë kryer mijëra misione që nga 8 tetori ndërsa shtoi se për të siguruar qasje më të sigurt për vullnetarët e Kryqit të Kuq ata janë gjithmonë në koordinim me Forcën e Përkohshme të Paqes në Liban të Kombeve të Bashkuara (UNIFIL) dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe se veprojnë me mbështetjen e tyre.

Jaoude shtoi se nuk janë gjithmonë të sigurt në terren ndërsa deri më tani janë plagosur 13 vullnetarë dhe janë dëmtuar 3 autoambulanca.

“Ne jemi e vetmja agjenci që ofrojmë ndërhyrje në terren. Prandaj ajo që ne diskutojmë gjithmonë është se si mund të mbrojmë të gjithë së bashku në çështjen për zbatimin e ligjit ndërkombëtar humanitar, mbrojtjen e vullnetarëve në terren dhe të jemi në gjendje të ofrojmë ndihmë për të gjithë”, tha Jaoude.

Pasi bëri të ditur se duhet të përgatiten për një situatë luftarake afatgjate në Liban, Jaoude tha se ata gjithmonë diskutojnë me partnerët e tyre që të jenë të përgatitur për skenarë “emergjente” në mënyrë që të furnizojnë produkte dhe t’i dorëzojnë ato tek ata që kanë më shumë nevojë.

Duke shpjeguar se ekipet e Kryqit të Kuq Libanez janë gjithmonë në terren për t’u përgjigjur në kohë normale dhe në rast lufte, Jaoude tha se ato janë në koordinim me të gjitha palët e interesuara dhe Ministrinë libaneze të Shëndetësisë.

Jaoude thekson se në bashkëpunim me spitalet ata kanë evakuuar disa spitale të dëmtuara në Liban.

Ajo potencoi se pranimet e pacientëve dhe kapacitetet e spitaleve në Liban janë ulur për shkak të problemeve ekonomike që nga viti 2019 dhe inflacionit që ato kanë shkaktuar, ndërsa kujtoi se sistemi shëndetësor libanez edhe më parë nuk ka mundur të pranonte shumë pacientë.

“Libani ka qenë në krizë që nga viti 2019 për arsye të tilla si shpërthimi në Portin e Bejrutit dhe COVID-19. Aktualisht kemi situatë ekonomike që vështirësohet bashkë me luftën. Fatkeqësisht nuk është më si më parë. Sepse njerëzit tashmë nuk kanë shtëpi, ata i kanë braktisur shtëpitë e tyre. Kemi punonjës dhe vullnetarë që janë zhvendosur brenda vendit. Disa fëmijë jetojnë jashtë. Shohim se njerëzit largohen nga shtëpitë e tyre dhe nuk kthehen në fshatrat e tyre. Ata kanë nevojë për më shumë mbështetje”, deklaroi Jaoude.

Në vazhdim, Jaoude tha se si Kryqi i Kuq Libanez, misioni i tyre kryesor është të mbështesin këta njerëz në çdo situatë dhe se ata veprojnë së bashku me mbështetjen e organizatave të OKB-së, palëve të tjera të interesuara dhe të vendeve.

Kategoritë
BotaLajme