Kroaci, për 10 vjet numri i banorëve ulet me 9.6 për qind

Të dhënat e Entit shtetëror për statistika tregojnë se Kroacia ka 3.871.833 banorë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, numri i banorëve është ulur me 413.056 ose për 9.64 për qind.

Të dhënat e reja të kompletuara nga regjistrimi i vitit 2021 tregojnë se numri i kroatëve në Kroaci është rritur dhe numri i serbëve është zvogëluar ndërsa është zvogëluar numri i besimtarëve dhe është rritur numri i ateistëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e Entit shtetëror për statistika (DZS), i cili publikoi të dhëna të reja të përditësuara nga regjistrimi i vitit 2021, tregojnë se Kroacia ka 3.871.833 banorë, nga të cilët 1.865.129 janë meshkuj (48.17 për qind) dhe 2.006.704 janë femra (51.83 për qind). Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, numri i banorëve është ulur me 413.056 ose për 9.64 për qind.

Rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 tregojnë se pjesa e kroatëve në strukturën kombëtare të popullsisë është 91.63 për qind, serbët 3.2 për qind, boshnjakët 0.62 për qind, romët 0.46 për qind, italianët 0.36 për qind dhe shqiptarët 0.36 për qind, ndërsa pjesa e anëtarëve tjerë të pakicave kombëtare është individualisht më pak se 0.30 për qind.

Sipas përkatësisë fetare, katolikët janë 78.97 për qind në vitin 2021 ndërsa 86.28 për qind në regjistrimin e 10 viteve më parë, ortodoksët 3.32 për qind krahasuar me 4.44 për qind në vitin 2011 ndërsa muslimanët ishin 1.32 për qind krahasuar me 1.47 për qind të mëparshme.

Numri i personave që nuk janë besimtarë dhe ateistë është 4.71 për qind ndërsa 1.72 për qind e qytetarëve nuk kanë dashur të deklarohen kur janë pyetur për përkatësinë fetare.

Sipas gjuhës amtare, 95.25 për qind e qytetarëve deklaruan se gjuha e tyre amtare është kroatishtja ndërsa 1.16 për qind deklaruan se gjuha e tyre amtare është serbishtja. Përqindja e qytetarëve me një gjuhë tjetër amtare është individualisht më pak se 1 për qind.

Kategoritë
LajmeRajoni