“Kroacia do të ndihmojë Kosovën në rrugën euroatlantike”

Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Gërliq-Radman ka pritur në një takim ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman ka pritur sot në takim ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, me të cilën ka diskutuar mbi mbështetjen për Kosovën në rrugën euroatlantike, raporton Anadolu.

Kroacia dhe Kosova janë vende miqësore dhe partnere me marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, thanë ministrat pas takimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë.

“Kroacia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në transferimin e njohurive tona, me njohuritë dhe përvojën tonë, në proceset e nevojshme reformuese, duke pasur parasysh se Kroacia ka përmbushur të gjitha prioritetet e politikës së jashtme dhe synimet strategjike. Përshëndes përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rrugën evropiane të Kosovës dhe inkurajoj vazhdimin e reformave”, tha ministri kroat Gërliq-Radman.

Dy ministrat diskutuan edhe për situatën politike në Evropën Juglindore, përfshirë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Rruga evropiane e të gjashtë shteteve, e bazuar në qasjen individuale dhe përmbushjen konsekuente dhe të plotë të të gjitha kritereve, është e vetmja rrugë e drejtë. Në një aspekt më të gjerë gjeopolitik, Kosova është partner i besueshëm me pikëpamje pro-evropiane. Unë potencova përkushtimin e Kroacisë në mbështetjen për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës në mënyrë që të mundësohet perspektiva e mëtutjeshme dhe rruga evropiane e Kosovës”, përfundoi Gërliq Radman.

Ministrja kosovare Gërvalla-Schwarz theksoi se Kroacia dhe Kosova “u shkëputën herët nga Jugosllavia, nga diktatura komuniste e dominuar nga politika ekonomike dhe nacionaliste serbe, me synim arritjen e demokracisë dhe sovranitetit, në një proces në të cilin u përballën me të njëjtin agresor”.

“Na mbetet që të realizojmë ëndrrat tona të përbashkëta drejt integrimeve evropiane. Qëllimi i qytetarëve të Kroacisë dhe Kosovës është rruga euroatlantike. Ndihma e Kroacisë në rrugën tonë euroatlantike nuk ka munguar asnjëherë. Derisa Kosova të bëhet anëtare e familjes euroatlantike, kemi shumë punë të përbashkëta”, tha ajo.

Kryediplomatja kosovare uroi homologun e saj kroat për integrimin e suksesshëm në Shengen dhe në Eurozonë dhe falënderoi për ndihmën e shpejtë dhe efikase që ofroi Qeveria e Kroacisë për qytetarët kosovarë që pësuan në aksidentin e autobusit në afërsi të Slavonski Brodit.

Marrëdhëniet ekonomike të dy vendeve janë në një trajektore rritëse, gjë të cilën e tregon edhe totali i shkëmbimit tregtar në 11 muajt e 2022, i cili është më i lartë për mbi 23 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Së fundmi në Prishtinë është mbajtur forumi i përbashkët ekonomik Kosovë-Kroaci, ku së bashku me ministrin kroat të ekonomisë, Davor Filipoviq kanë marrë pjesë rreth 50 përfaqësues të kompanive kroate dhe rreth 80 përfaqësues të kompanive kosovare.

Gjithashtu u diskutua edhe për përmirësimin e pozitës së pakicës kroate në Kosovë, e cila është diaspora më e vjetër kroate, me faktin se këtë vit në maj do të shënohen 720 vjet nga përmendja e parë e Janjevës në dokumentet zyrtare.

Kjo është vizita e parë zyrtare e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gervalla-Schwarz në Kroaci.

Kategoritë
BotaLajme