Kroacia ka dhënë rekomandime për qytetarët e saj: “Shtyni udhëtimet e panevojshme në Serbi”

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë, ashtu siç kishte paralajmëruar ministri Gordan Grlić Radman, ka përditësuar rekomandimet për udhëtimet në Serbi.

Nga kjo ministri u është bërë thirrje kroatëve për kujdes dhe informim të detajuar para udhëtimit.
“Rekomandohet shtyrja e të gjitha udhëtimeve që nuk janë të domosdoshme, kujdesi, ndjekja e situatës aktuale dhe informimi më i detajuar para udhëtimit për shkak të sjelljeve të papërshtatshme dhe të pabazuara të autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj shtetasve kroatë,” është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë.

Shtetasve kroatë u është këshilluar të shmangin vendet me grumbullime të mëdha njerëzish.
“Në rast nevoje, në çdo moment shtetasit kroatë kanë të drejtë të kërkojnë kontakt me Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Republikën e Serbisë. Rekomandimi për mbajtjen e maskave në ambiente të mbyllura mbetet në fuqi në institucionet shëndetësore,” është shtuar më tej.

Kujtojmë se kjo situatë ndodhi pasi në fillim të javës pesë vajza nga Kroacia u ndaluan në Serbi. Grlić Radman theksoi se shtetaset kroate ishin duke shkuar në një punëtori të Erste Bankës dhe se “u ndaluan pa asnjë shpjegim,” duke shtuar se ka informacion që e njëjta gjë i ka ndodhur edhe shtetasve rumunë dhe irlandezë.

Ministri kroat sot, në lidhje me këtë çështje, gjithashtu i ka dërguar një notë proteste Serbisë.
“Do të dërgojmë një notë proteste, do të informojmë delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd për veprimet e autoriteteve serbe dhe sjelljen e tyre që i kanë vënë shtetasit kroatë në një pozicion poshtërues,” ka deklaruar dje.

Ndryshe, shtetaset kroate janë dëbuar nga Serbia pas marrjes në pyetje dhe hyrja në këtë vend iu është ndaluar për një vit.

Kategoritë
LajmeRajoni