Kroacia merr 700 milionë euro mjete të pakthyeshme nga Komisioni Evropian

Komisioni Evropian i pagoi Kroacisë këstin e parë prej 700 milionë euro mjete të pakthyeshme për reformat sipas Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.

Nënkryetarja e Komisionit Evropian (KE) për Demokraci dhe Demografi, Dubravka Shuica, i dorëzoi kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviç, këstin e parë të mjeteve të pakthyeshme në shumën prej 700 milionë euro për shkak të reformave në kuadër të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Qeveria kroate ka marrë shumën më të madhe të mjeteve të pakthyeshme deri më sot, 700 milionë euro nga KE-ja. Shuica në mënyrë simbolike ia dorëzoi vendimin zbatues të KE-së kryeministrit kroat, Plenkoviç.

Pagesa e sotme ishte një përgjigje ndaj kërkesës së Qeverisë së Kroacisë të dërguar më 15 mars të këtij viti për zbatimin me sukses të 34 masave të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë.

Shuica veçoi reformat më të rëndësishme që Kroacia ka zbatuar në fushën e shëndetësisë, politikës sociale, arsimit të të rriturve, politikës fiskale, energjisë dhe efikasitetit energjetik, transportit, menaxhimit të ujit dhe mbeturinave.

Kroacia është anëtarja e gjashtë që merr këstin e parë, pas Spanjës, Italisë, Greqisë, Portugalisë dhe Francës, me të cilat KE-ja ka paguar deri më sot 100 miliardë euro në kuadër të këtij programi të quajtur “BE Next Generation”.

“Dinamika aktuale e pagesave tregon se programi i rimëkëmbjes dhe qëndrueshmërisë po ecën mirë dhe në përputhje me planin. Këto para janë një investim i veçantë për të ardhmen e të rinjve”, tha Shuica.

Kryeministri kroat Plenkoviç vlerësoi se programi “BE Next Generation”, i nisur dy vjet më parë, është një përgjigje ekonomike dhe financiare ndaj krizës së pandemisë së COVID-19. Ai rikujtoi se Kroacia mori një vlerësim pozitiv të Planit të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë në korrik të vitit të kaluar.

Ai tha se Kroacia pret këstin e ri prej 700 milionë eurosh.

“Pas avanseve në vjeshtën e kaluar, kjo është shuma më e madhe që Kroacia ka marrë njëherësh nga KE-ja për sa u përket mjeteve të pakthyeshme”, tha Plenkoviç.

Kategoritë
LajmeRajoni