Hamasi njoftoi se në vend të tre pengjeve ka pranuar të lirojë gjashtë pengje izraelite si pjesë e shkëmbimit të 22 shkurtit, transmeton Anadolu.
Anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Khalil al-Hayya dha një deklaratë në lidhje me axhendën e shkëmbimit të pengjeve në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit të arritur me Izraelin.
Al-Hayya theksoi se Hamasi më 20 shkurt do t’i dorëzojë Kryqit të Kuq trupat e katër pengjeve izraelite. Ai vuri në dukje se krahas kësaj më 22 shkurt do të lirojnë jo tre, por gjashtë pengje izraelite, siç ishte planifikuar më parë.
Pasi bëri të ditur se Hamasi është gati të zbatojë edhe fazën e dytë të armëpushimit, Al-Hayya tha se administrata e Tel Avivit heziton të fillojë negociatat për fazën e dytë të armëpushimit.
Në lajmet në mediat lokale u tha se qeveria izraelite në vend të tre pengjeve kishte kërkuar lirimin e gjashtë pengjeve izraelite më 22 shkurt, në mënyrë që të lejojë hyrjen e shtëpive kontejner dhe pajisjeve të ndërtimit në Gaza.
Nuk dihet ende nëse Izraeli i cili ka shkelur kushtet e armëpushimit dhe nuk lejon hyrjen e shtëpive kontejnerë dhe pajisjeve të ndërtimit, do të ndryshojë apo jo vendimin e tij pas këtij hapi të Hamasit.
– Do të përfundojë shkëmbimi i të burgosurve në fazën e parë të armëpushimit
Me lirimin e gjashtë pengjeve izraelite nga Hamasi më 22 shkurt, operacionet e shkëmbimit të pengjeve në fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit do të marrin fund.
Si pjesë e shkëmbimit të pengjeve, Hamasi ka liruar deri më tani 19 pengje izraelite.
Më 15 janar, Katari një nga vendet ndërmjetësuese, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.
Marrëveshja hyri në fuqi të dielën më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit, që përbëhet nga tre faza, ishte vendosur që të lirohen 33 pengje izraelite dhe mbi 1.900 të burgosur palestinezë.