“Lufta e Ftohtë është ringjallur por tani rreziku që ajo të kalojë në fazën e nxehtë është më i lartë”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov deklaroi se SHBA-ja po përpiqet të destabilizojë situatën në kontinentin Euroaziatik, transmeton Anadolu.
Lavrov mori pjesë në takimin e 31-të të Këshillit Ministror të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), të organizuar nga Malta. Delegacioni ukrainas u largua nga salla para fjalës së ministrit Lavrov në takim.
Kryediplomati rus kritikoi OSBE-në në lidhje me Ukrainën dhe shtoi se OSBE-ja heshti në lidhje me veprimet e qeverisë së Kievit dhe për këtë arsye është “e padobishme”. Duke përmendur si shembull anulimin e vizës për zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova për të ardhur në Maltë, Lavrov tha se ky ishte një vendim “qesharak”.
Ai vuri në dukje se OSBE-ja është kthyer në një mjet politik të Perëndimit.
“OSBE-së nuk i ka mbetur hapësirë të luajë as rolin më të vogël të dobishëm në gjetjen e përgjigjeve për pyetjet e drejtpërdrejta brenda kornizës së mandatit të saj. Nuk ka vend as për bashkëpunim dhe as për siguri në politikë brenda kornizës së OSBE-së. OSBE është viktimë e qasjes së nënshtrimit të Evropës ndaj SHBA-së me ndihmën e konceptit të sigurisë euroatlantike. SHBA-ja nuk u mjaftua me NATO-n dhe Evropën, i lidhi pas saj edhe BE-në dhe OSBE-në”, tha Lavrov.
Duke komentuar politikën e SHBA-së ndaj rajonit të Azi-Paqësorit, Lavrov tha se “Administrata aktuale e Joe Biden në SHBA po forcon infrastrukturën ushtarake të NATO-s në rajonin e Azisë Paqësorit. Në këtë rajon po krijohen aleanca ushtarake, në Detin e Kinës Jugore, Ngushticës së Tajvanit ndërsa në Gadishullin Korean po zhvillohen stërvitje ushtarake me pjesëmarrjen e NATO-s””.
Lavrov tha se duhet të parandalohet përjetimi i tragjedisë në Azi-Paqësor.
“SHBA-ja dhe aleatët e saj hodhën poshtë shumë marrëveshje me Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme”, theksoi Lavrov i cili shtoi se kjo është bërë me qëllim që NATO të dalë në plan të parë në arenën politike. “Si rezultat, Lufta e Ftohtë është ringjallur por tani rreziku që ajo të kalojë në fazën e nxehtë është më i lartë”, tha ai.