Kryediplomati sirian viziton Jordaninë për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh

Kjo është vizita e parë e kryediplomatit sirian Asaad al-Shaibani në Jordani pas rënies së regjimit të Bashar Asadit

Ministri i Jashtëm sirian Asaad al-Shaibani mbërriti në Aman për vizitën e tij të parë në Jordani që nga rënia e regjimit të Bashar Asadit muajin e kaluar, transmeton Anadolu.

Shaibani gjatë udhëtimit shoqërohet nga Ministri i Mbrojtjes Murhaf Abu Qasra dhe shefi i inteligjencës Anas Khattab, ndërsa pritet që të diskutohen horizontet e bashkëpunimit midis dy vendeve, njoftoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA.

Më 23 dhjetor, ministri i jashtëm jordanez Ayman Safadi udhëtoi për në Damask dhe u takua me udhëheqësin e administratës së re siriane, Ahmed al-Sharaa.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme jordaneze pas vizitës së Safadit thuhet se rindërtimi i Sirisë është i një rëndësie strategjike si për Jordaninë, ashtu edhe për rajonin më të gjerë.

Që nga rënia e Asadit, Shaibani deri më tani ka vizituar Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Bashar Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath.

Kjo ndodhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham pushtuan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.

Një administratë e re e udhëhequr nga al-Sharaa ka marrë tani përgjegjësinë.

Kategoritë
BotaLajme