Kryediplomati spanjoll, Albares: Armëpushimi në Gaza duhet të përforcohet

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, e cila hyri në fuqi më 19 janar, duhet të përforcohet

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares tha se marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve midis Hamasit dhe Izraelit, e cila hyri në fuqi më 19 janar, duhet të përforcohet, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e tij në një program në kanalin shtetëror televiziv RTVE, Albares foli për politikat me prioritet të vendit të tij në Lindjen e Mesme. Ai tha se këto janë ndër të tjera “një zgjidhje me dy shtete midis Palestinës dhe Izraelit, mbështetje të plotë për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe qëndrimin pranë nismave ligjore ndërkombëtare për të ndjekur penalisht krimet e luftës”.

Sipas tij, Spanja po bën gjithçka që mundet për të siguruar që ajo që ndodhi në Gaza të mos kalojë pa u ndëshkuar. “Armëpushimi në Gaza duhet të përforcohet, të bëhet i përhershëm dhe të lejohen ndihma të mëdha humanitare, siç ka bërë UNRWA”, u shpreh Albares.

Ai iu përgjigj gjithashtu deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump se mund të vendosen tarifa të reja doganore ndaj Bashkimit Evropian (BE), duke deklaruar se “BE-ja ka mjetet dhe dëshirën për t’iu përgjigjur një nisme të tillë” nëse është e nevojshme.

Kryediplomati spanjoll, gjithashtu përsëriti vendosmërinë e Spanjës për të arritur 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në shpenzimet e mbrojtjes.

“Pikëpamja e SHBA-së është shumë e rëndësishme, por vendimet për shpenzimet evropiane merren nga evropianët në Bruksel, mes evropianëve dhe brenda NATO-s”, u shpreh ai.

Kategoritë
BotaLajme