Kryediplomati turk Fidan: Do të vazhdojmë të veprojmë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë

“Do të vazhdojmë të veprojmë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë, duke marrë parasysh interesat tona të përbashkëta”, tha Hakan Fidan

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan tha se vendi i tij do të vazhdojë të veprojë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë, duke marrë parasysh interesat e përbashkëta, raporton Anadolu.

Fidan zhvilloi një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në Ankara.

Pas takimit të dy kryediplomatët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Kryediplomati turk tha se përpjekjet për të gjetur zgjidhje rajonale për problemet rajonale forcojnë bazën për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Për këtë qëllim, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Shqipërinë”, tha Fidan.

“Do të vazhdojmë të veprojmë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë, duke marrë parasysh interesat tona të përbashkëta”, tha ai.

Duke folur edhe për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, Fidan tha: “Mbështetja jonë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës është e plotë”.

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, dje dënoi Milorad Dodikun, kreun e entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur postin, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në vend.

Fidan foli edhe lidhur me zhvillimet ndërkombëtare. “Nëse arkitektura evropiane e sigurisë do të riformohet, kjo nuk mund të ndodhë pa Türkiyen. Një arkitekturë e sigurisë që lë jashtë Türkiyen nuk është shumë realiste”, u shpreh ai.

Kategoritë
LajmeRajoni