“Do të vazhdojmë të veprojmë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë, duke marrë parasysh interesat tona të përbashkëta”, tha Hakan Fidan.
Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan tha se vendi i tij do të vazhdojë të veprojë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë, duke marrë parasysh interesat e përbashkëta, raporton Anadolu.
Fidan zhvilloi një takim me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, në Ankara.
Pas takimit, të dy kryediplomatët mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
Duke theksuar se të gjithë e dinë se sa të mëdha janë dimensionet njerëzore, historike dhe kulturore të marrëdhënieve midis Türkiyes dhe Shqipërisë, Fidan tha: “Ne kemi një lidhje shumë të thellë vëllazërore që daton prej qindra vitesh”.
Fidan tha se po bëhen përpjekje për forcimin e bazës institucionale të marrëdhënieve dhe se ky synim po realizohet nën udhëheqjen e liderëve të dy vendeve. Ai theksoi në vitet e kaluara janë arritur përfitime serioze, shembulli më konkret i të cilave është parë në fushën ekonomike dhe tregtare.
“Kemi arritur të rrisim vëllimin tonë të tregtisë në 1 miliard dollarë”, tha Fidan, duke shtuar se synohet të arrihet shifra prej 2 miliardë dollarësh
Ai nënvizoi po ashtu investimet turke në Shqipëri, duke thënë se Türkiye është një nga vendet me më shumë investime atje.
“Si dy aleatë të NATO-s, ne kemi gjithashtu bashkëpunim të fortë në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes. Në periudhën e ardhshme do të punojmë në projekte të përbashkëta që do t’i avancojnë tutje këto përpjekje”, shtoi ministri turk.
“Do të vazhdojmë të veprojmë në bashkëpunim dhe solidaritet me Shqipërinë në çdo fushë, duke marrë parasysh interesat tona të përbashkëta”, tha ai.
Stabiliteti i Ballkanit
Duke folur për rajonin e Ballkanit, kryediplomati turk tha se përpjekjet për të gjetur zgjidhje rajonale për problemet rajonale forcojnë bazën për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. “Për këtë qëllim, do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Shqipërinë”, tha Fidan.
Në lidhje me për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, Fidan tha: “Mbështetja jonë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës është e plotë”.
“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë e Hercegovinë do të jetë e mundur duke vepruar me kujdes dhe maturi. Është me rëndësi të madhe shmangia e veprimeve dhe deklaratave të njëanshme dhe zgjidhja e problemeve përmes dialogut.”, shtoi ai.
Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës, dje dënoi Milorad Dodikun, kreun e entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim për të mbajtur postin, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në vend.
Mekanizmi i sigurisë në Evropë
Fidan foli edhe lidhur me zhvillimet ndërkombëtare, gjegjësisht për diskutimet mbi një mekanizëm të sigurisë në Evropë.
“Ndërsa po ndërmerren hapa për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ne po shohim gjithashtu vendet evropiane që përpiqen të iniciojnë një mekanizëm të madh konsultimi mes tyre. Në këtë rast, si do të jetë arkitektura evropiane e sigurisë në të ardhmen? Ne po shohim që çështjet e një arkitekture evropiane të sigurisë pa NATO-n po ngrihen dhe diskutohen nga liderët evropianë për momentin”, tha ai.
“Nëse arkitektura evropiane e sigurisë do të riformohet, kjo nuk mund të ndodhë pa Türkiyen. Një arkitekturë e sigurisë që lë jashtë Türkiyen nuk është shumë realiste”, u shpreh Fidan.
Gjatë fjalës së tij, Fidan tha se në takimin me homologun shqiptar kanë pasur rastin të bisedojnë edhe për tema ndërkombëtare, duke përfshirë armëpushimin në Rripin e Gazës.
Ai nënvizoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që armëpushimi në Gaza të bëhet i përhershëm dhe të zbatohen fazat pasuese të tij.
Marrëveshja e armëpushimit në Gaza, e cila filloi më 19 janar, përbëhet nga tri faza, secila me kohëzgjatje prej 42 ditësh, me negociata të nevojshme përpara se të kalohet në fazën tjetër.
Faza e parë e marrëveshjes pritet të përfundojë këtë fundjavë.