Kryediplomati ukrainas: Vizita e të dërguarit të posaçëm të Trumpit do të realizohet në “kohën e duhur”

Sybiha tha se Kievi shpreson se vizitat e para në Ukrainë nga zyrtarë të administratës së re amerikane do të zhvillohet pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar

Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, ka bërë të ditur se vizita nga Keith Kellogg, të dërguarit të posaçëm të presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump për Rusinë dhe Ukrainën, do të realizohet në “kohën e duhur”, transmeton Anadolu.

“Takimi dhe vizita e gjeneralit Kellogg janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ne. Jam i sigurt se ky takim do të zhvillohet në kohën e duhur. Jemi në kontakt për të përcaktuar qartë kornizën kohore për zbatimin e vizitës dhe për ta mbushur atë me përmbajtje maksimale”, tha Sybiha në një konferencë të përbashkët për media në Kiev me homologen e tij të Islandës, Katrin Gunnarsdottir.

Sybiha tha se Kievi shpreson se vizitat e para në Ukrainë nga zyrtarë të administratës së re amerikane do të zhvillohet pas inaugurimit të Trumpit më 20 janar.

Në muajin dhjetor, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi, tha se Kievi pret që Kellogg të vizitojë Ukrainën, duke sugjeruar se është përcaktuar një daatë paraprake, e cila nuk mund të zbulohet për “arsye të sigurisë”.

Më 27 nëntor, Trump emëroi gjeneralin Kellogg si të dërguar të posaçëm të SHBA-së për Rusinë dhe Ukrainën, dy vendet që kanë qenë në luftë që nga shkurti i vitit 2022.

Kellogg, gjenerallejtënant në pension, ka shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare nën zv/presidentin Mike Pence gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Trump është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit pothuajse 3-vjeçar midis Rusisë dhe Ukrainës.

Kategoritë
BotaLajme