Kryediplomatja Gërvalla priti në takim homologen sllovene Fajon

Ministrja sllovene Fajon ka thënë se Sllovenia e mbështetë komplet procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka pritur në takim zëvendëskryeministren dhe ministren për Punë të Jashtme të Sllovënisë, Tanja Fajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të dy ministreve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD) në Prishtinë, ministrja Gërvalla tha se Sllovenia ka qenë avokate e shquar e rajonit për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Gërvalla tha se Sllovenia vazhdimisht i ka bërë presion BE-së për më shumë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas saj, agresioni rus ndaj Ukrainës po e kthen luftën si një mjet të politikës hegjemoniste.

“Rajoni ynë është në një fazë të rrezikshme të historisë evropiane, duhet të përballemi me këtë realitet të ri sepse duke mos reaguar atëherë vetëm sa do të bëhet edhe më serioze situata jonë. Sllovenia është gjithashtu edhe anëtare e NATO-s dhe Kosova gjithashtu në vazhdimësi nuk e ka fshehur aspiratën e saj për t’u anëtarësuar sa më shpejtë në NATO si një aspiratë e cila do ta sillte Kosovën më afër vendeve me të cilat e lidhin vlerat”, theksoi Gërvalla.

Gërvalla tha se Serbia, “si aleat dhe përfaqësuesi më i afërt i Rusisë në rajon” po e kërcënon me luftë rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa këto kërcënime kërkojnë përgjigje të përbashkët dhe të unifikuar me qëllim që këto strategji të mos funksionojnë.

Tutje, Gërvalla tha se me homologen e saj kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik, investimet sllovene në Kosovë por edhe diasporën kosovare në Slloveni.

– “Kosova duhet të ndikojë dhe të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve”

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Punë të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, tha se të gjithë janë të shqetësuar për rreziqet e sigurisë në Ballkan dhe për këtë, ajo tha se, duhet një Ballkan Perëndimor i fortë dhe një Kosovë e fortë.

“Kosova duhet të ndikojë dhe të përpiqet për normalizimin e marrëdhënieve dhe nuk duhet të ketë eskalim të situatës në veri të Kosovës duke filluar negociatat për të diskutuar propozimin e sponsorizuar të Bashkimit Evropian që e kanë në tavolinë në lidhje me normalizimin e plotë të marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Fajon.

Fajon tha se Sllovenia është mike e Kosovës dhe ka nevojë të bashkëpunojë me Kosovën në shumë fusha të ndryshme si në burime energjetike, administrimin e ujërave dhe mbeturinave dhe ambienti biznesor në Kosovë duhet të jetë i sigurt dhe i qartë ndaj investitorëve të huaj.

Ministrja sllovene Fajon ka thënë se Sllovenia e mbështetë komplet procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Ajo tha se në prill do të ketë zgjedhje lokale të jashtëzakonshme në Kosovë në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, të cilat “duhet të jenë të lira”.

Fajon do të pritet në takim zyrtar në Prishtinë edhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kategoritë
LajmeVendi