Kryediplomatja gjermane në Kiev: Gjermania me partnerët e saj qëndron pranë Ukrainës

“Ne do t’i mbështesim ukrainasit për aq kohë sa ata kanë nevojë për ne”, tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock përsëriti edhe një herë se ata së bashku me shumë vende të botës qëndrojnë pranë Ukrainës dhe se kjo mbështetje do të vazhdojë, transmeton Anadolu.

Baerbock e cila zhvilloi një vizitë solidariteti në Kiev të Ukrainës, tha: “Gjermania, së bashku me partnerët e saj të shumtë në mbarë botën qëndron fort pranë Ukrainës. Ne do t’i mbështesim ukrainasit për aq kohë sa ata kanë nevojë për ne në mënyrë që ata të mund të ecin përpara në rrugën që shkon drejt një paqeje të drejtë”.

Ajo tha se presidenti rus Vladimir Putin dëshiron të gjunjëzojë me sulme njerëzit në Ukrainë. “Ne e kundërshtojmë këtë brutalitet me humanizmin dhe mbështetjen tonë. Sepse ata (Ukraina) gjithashtu mbrojnë lirinë e të gjithë neve në Evropë”, tha Baerbock.

Kryediplomatja gjermane tërhoqi vëmendjen mbi shkatërrimin e objektit të ngrohjes dhe linjave të energjisë elektrike si rezultat i bombardimeve ruse. Ajo vuri në dukje se dhanë një tjetër ndihmë urgjente energjetike prej 170 milionë eurosh, në mënyrë që ukrainasit të mund ta kalonin dimrin në kushte më të mira.

Baerbock potencoi se po bëjnë përpjekje për të blerë çdo sistem të mbrojtjes ajrore në nivel global, për t’iu kundërvënë sulmeve ruse me dronë në Ukrainë.

Duke mbrojturi idenë se Rusia do të duhet të paguajë miliarda euro për dëmet e shkaktuara në Ukrainë, Baerbock tha: “Nëse kjo nuk realizohet ne si G7 do të qëndrojmë pranë Ukrainës me kredinë deri në 50 miliardë dollarë, duke përdorur fitimet nga asetet shtetërore ruse që janë lënë të palëvizshme”.

Vizita e Baerbock nuk u njoftua paraprakisht për arsye sigurie.

Shefja e diplomacisë gjermane viziton Ukrainën për të tetën herë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Kategoritë
BotaLajme