Më 2 shtator, Lammy tha se ata do të pezullojnë afër 30 nga 350 licencat e dhëna për shitjen e armëve në Izrael. Megjithatë, embargoja e pjesshme e armëve nuk përfshinte komponentët britanik të avionëve luftarakë F-35
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka refuzuar kërkesën për të pezulluar të gjitha shitjet e armëve në Izrael, transmeton Anadolu.
Starmer foli për çështje aktuale në seancën e përjavshme “Pyetje për Kryeministrin” në parlamentin britanik.
Deputeti i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP), Brendan O’Hara, në seancë kujtoi thirrjen e kryeministrit Starmer drejtuar qeverisë izraelite për të lejuar hyrjen e më shumë ndihmave në Gaza.
O’Hara e pyeti kryeministrin nëse është koha që ai të bëjë më shumë sesa thirrjet e tij ndaj qeverisë izraelite.
“A nuk është koha që ju të ndaloni të gjitha eksportet e armëve në Izrael, të vendosni sanksione dhe të ndaloni tregtinë me të gjitha vendbanimet ilegale dhe të njihni Palestinën?”, tha gjithashtu deputeti i SNP-së.
Në përgjigjen e tij ndaj deputetit, kryeministri Starmer tha: “Unë e kam bërë shumë të qartë pozicionin tonë për t’i shitur Izraelit kapacitete që mund të mbrohen kundër sulmeve nga Irani dhe e bëj të qartë se ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.
– Vetëm 30 nga 350 licencat e shitjes së armëve u pezulluan
Më 2 shtator, sekretari britanik i Jashtëm, David Lammy, tha se ata do të pezullojnë afër 30 nga 350 licencat e dhëna për shitjen e armëve në Izrael. Megjithatë, embargoja e pjesshme e armëve nuk përfshinte komponentët britanik të avionëve luftarakë F-35.
Këta komponentë vlerësohet të përbëjnë 15 për qind të avionëve që Izraeli përdori për të bombarduar Gazën dhe përfshijnë pajisjet më të rëndësishme që britanikët ofrojnë për ushtrinë izraelite.
Po ashtu edhe sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se ky vendim “nuk do të ketë një ndikim të rëndësishëm” në sigurinë e Izraelit dhe garantoi se siguria e përgjithshme e Izraelit nuk do të rrezikohet.
Organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe organizatat joqeveritare kritikojnë vendimin britanik për të vendosur embargo të pjesshme të armëve ndaj Izraelit duke e quajtur “të papërshtatshëm” dhe “të marrë me vonesë”, si dhe duan që furnizimi me armë të ndalet plotësisht.