Kryeministri britanik, Keir Starmer, zhvilloi sot një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke i shprehur mbështetjen e tij.
“Në mbrëmje, kryeministri bisedoi me presidentin Zelensky dhe theksoi nevojën që të gjithë të bashkëpunojnë,” thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e Starmer pas telefonatës.
“Kryeministri shprehu mbështetjen e tij për presidentin Zelensky si udhëheqës i zgjedhur në mënyrë demokratike i Ukrainës dhe theksoi se është plotësisht e arsyeshme që zgjedhjet të pezullohen gjatë kohës së luftës, ashtu siç bëri Mbretëria e Bashkuar gjatë Luftës së Dytë Botërore,” shtohet në deklaratë.
“Kryeministri rikonfirmoi mbështetjen për përpjekjet për paqe të qëndrueshme”
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump e kishte quajtur Zelenskyn një “diktator pa zgjedhje” dhe e paralajmëroi që të veprojë shpejt për të siguruar paqen, përndryshe nuk do t’i mbetet asgjë nga vendi i tij.
Deklarata nga zyra e Starmer nuk iu referua drejtpërdrejt komenteve të Trump-it.
“Kryeministri rikonfirmoi mbështetjen e tij për përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të arritur një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, e cila do ta pengonte Rusinë nga çdo agresion i ardhshëm,” përfundon deklarata.