“Unë jam i vetëdijshëm për përkufizimin e gjenocidit, dhe kjo është arsyeja pse unë kurrë nuk e kam përshkruar këtë si të tillë dhe nuk e kam cilësuar si gjenocid”, tha Keir Starmer
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer tha në parlament sot se Izraeli nuk po kryen një gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, raporton Anadolu.
Gjatë pyetjeve për kryeministrin në Dhomën e Ulët, ligjvënësi i pavarur Ayoub Khan solli në diskutim komentet nga Sekretari i Jashtëm David Lammy, i cili kohët e fundit pohoi se termi gjenocid referohet “kur miliona njerëz humbin jetën në kriza si Ruanda, Lufta e Dytë Botërore në Holokaust” dhe përdorimi i tij për Gazën “tani minon seriozitetin (e tij)”.
Khan më pas tha se fjalët e Lammyt nuk janë të pranueshme.
“Neni dy i Konventës së Kombeve të Bashkuara për Gjenocidin e bën të qartë se gjenocidi nuk ka të bëjë me numra, por me qëllim. Synimi i qeverisë izraelite dhe IDF-së ka qenë shprehimisht i qartë me fjalë dhe me veprime gjatë 400 ditëve të fundit, më shumë se 45.000 burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm të vrarë”, tha ai.
Deputeti tha se kryediplomati britanik mohoi në mënyrë eksplicite që një gjenocid po ndodh dhe “sugjeroi që ushtria izraelite nuk ka vrarë ende mjaft palestinezë” për të përbërë një gjenocid.
“A do ta ndajë kryeministri përkufizimin e tij të gjenocidit me këtë Dhomë?” pyeti ai.
Në përgjigjen e tij, Starmer tha: “Do të ishte e mençur të fillonim një pyetje të tillë duke iu referuar asaj që ndodhi në tetor të vitit të kaluar. Unë jam i vetëdijshëm për përkufizimin e gjenocidit, dhe kjo është arsyeja pse unë kurrë nuk e kam përshkruar këtë si të tillë dhe nuk e kam cilësuar si gjenocid”.
Francesca Albanese, Raportuesja Speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze, e cila është aktualisht në një vizitë në Mbretërinë e Bashkuar, ka pohuar vazhdimisht besimin e saj se ajo që po ndodh kualifikohet si gjenocid.