Kryeministri e “provon” shtetin –nesër në agjendën e tij “Livadhet e Arapit” në Gjilan, e jo Prokuroria ku ka urdhër për t’u paraqitur

Kryeministri Albin Kurti do të duhej që paraditen e nesërme të paraqitej në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore. Në atë kohë kur, siç ka urdhëruar gjykata, Albin Kurti do të duhej ta respektonte vendimin për t’u intervistuar nga prokurorët, ai pritet të jetë te “Livadhet e Arapit”, një lagje të Gjilanit ku pritet të vihet gurthemeli i një çerdheje. Kështu, duket se ai do ta shpërfillë edhe urdhrin e Gjykatës, pasi më herët i kishte refuzuar tri ftesa nga Prokuroria.

 

Kryeministri Albin Kurti ka urdhër nga Gjykata Themelore e Prishtinës që nesër në 10:00 të paraqitet në Prokurorinë Speciale për ta dhënë dëshminë e tij në rastin e dyshimeve për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Themelorja të premtën e pranoi kërkesën e Prokurorisë Speciale që ta urdhërojë atë të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit, pasi kishte refuzuar tre herë radhazi që të shkonte në organin e specializuar për hetimin dhe ndjekjen penale.

Departamenti Special i kësaj gjykate e obligoi Kurtin që, siç thanë nga gjykata “të paraqitet në cilësi të dëshmitarit për të dhënë dëshminë e tij”.

Po ai do të shkojë nesër në Gjilan për vendosjen e gurthemelit të një çerdheje të re, sipas një ftese që Ministria e Arsimit ua ka dërguar sot mediave. Sipas këtij njoftimi, shefi i Qeverisë, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të jenë në këtë ngjarje në lagjen “Livadhet e Arapit” orën 10:00.
Kështu Kurti duket se ka vendosur ta testojë shtetin – prokurorinë e cila mbetet të shihet se cilët mekanizma do t’i përdorë për ta siguruar dëshminë e njërit prej zyrtarëve më të lartë shtetëror.

Zyra e Kryeministrit atë ditë ia dërgoi një letër gjykatës, në të cilën i kërkonte asaj të merrte parasysh faktorë si “pikëpamja institucionale dhe respekti për pozitën e Kryeministrit”, pasi ai “është përfaqësuesi më i lartë ekzekutiv i shtetit”.

“Duke marrë parasysh sa më sipër, Zyra e Kryeministrit thekson edhe njëherë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, kërkoi ZKM-ja.

Zyra e Kurtit shkroi se kryeministri ka dhënë “më shumë se dy alternativa mbi datat dhe kohën e intervistimit, ashtu që të tregojë gatishmërinë e tij për t’u përgjigjur në çdo pyetje që cilido prokuror apo zyrtar përgjegjës mund të kërkojë”, duke marrë parasysh, siç u tha në letër, “rrethanat specifike të rastit dhe pozitën institucionale që ai mban”.

Prokuroria Speciale për herë të parë e ftoi Kurtin të dëshmojë në dhjetor të vitit të kaluar. Që atëherë, kryeministri ka refuzuar edhe dy ftesa të tjera, duke përsëritur se është i gatshëm ta bëjë këtë në zyrën e tij, një praktikë që sipas tij është ndjekur edhe më parë.

Çka nëse Kurti nuk shkon në Prokurori as nesër?

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani i ka thënë Gazetën Express më 20 shkurt se gjykata i ka tri alternativa për të vepruar më tutje.

“Me kërkesë të prokurorit, Gjykata i ka këto mundësi, i ka tri alternativa: ta detyrojë me forcë të paraqitet, ta gjykojë me gjobë ose eventualisht nëse paraqitet në gjykatë por hesht, atëherë gjykata e ka mundësinë e tretë – caktimin e paraburgimit derisa ai të bindet të flasë, por jo më tepër se 1 muaj”, ka thënë ai.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi ka përmendur gjobën si masën e parë që parashihet të merret nëse Kurti nuk paraqitet në prokurori as pas urdhërit të gjykatës.

“Në bazë të ligjit kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, gjyqtari i procedurës paraprake sipas detyrës zyrtare apo kërkesës së prokurorit të shtetit mund ta detyrojë dëshmitarin që të paraqitet. Nëse dëshmitari nuk paraqitet, gjyqtari i procedurës paraprake e dënon atë me gjobë deri në dyqindepesëdhjetë (250) Euro për çdo herë që nuk paraqitet. Nëse dëshmitari vazhdon të refuzojë të dëshmojë pasi që është dënuar me gjobë, ai mund të burgoset”, ka thënë Ehat Miftaraj.

Prokuroria Speciale po heton dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Në verën e vitit 2023, tre persona, përfshirë zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara dhe afaristin Ridvan Muharremi ishin arrestuar. Në MINT ishin kryer edhe bastisje.

Në prill të vitit të kaluar, ministrja Rozeta Hajdari u intervistua në cilësinë e të dyshuarës. Në Prokurorinë Speciale, ajo ishte i mbrojtur në heshtje.

Prokuroria thotë se shteti kishte paguar rezerva shtetërore të cilat nuk kishin ardhur, duke e dëmtuar buxhetin për mbi 600 mijë euro.

Sipas organit të specializuar të ndjekjes, ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.

MINT, sipas Prokurorisë, kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar. Një pjesë e sasisë së kontraktuar të rezervave dyshohet se nuk arriti në Kosovë.

Kategoritë
LajmeVendi