Kryeministri Edi Rama del me një reagim të ri për situatën në veri të Kosovës: Serbia po i fryn zjarrit të një konflikti të armatosur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka kritikuar Serbinë që e ka shpallur ditë zie për vrasjen e sulmuesve të Policisë së Kosovës.

Ai ka shkruar në Twitter të martën se me këtë shpallje të zisë, Serbia s’ka lidhje me shekullin XXI dhe “i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur”.

Sipas Ramës, ky veprim i Serbisë, pos që është i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm, është edhe i dënueshëm.

“Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për pjesëtarët e grupit të armatosur që u asgjësuan nga forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, pasi nga ai grup iu mor jeta një efektivi të policisë është sinjali më i keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik! Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur”, ka thënë ai.

Kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka shtuar se Serbia duhet të vendosë nëse do të jetë me Evropën apo “me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës”.

Rama i ka bërë thirrje edhe Kosovës të reflektojë shumë seriozisht nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit “të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm”.

Sipas Ramës, çdo rrugë tjetër për Kosovën është iluzionesh dhe me përfundime të dhimbshme.

“Ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti! Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian”, ka shtuar tutje ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi