Kryeministri Edi Rama realizon takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres

Në takimin Rama-Guterres u diskutua për “programin dhe përparësitë e presidencës shqiptare të KS-OKB-së dhe gatishmërinë për të ofruar kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë qëndrimit të tij në New York është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama dhe ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhacka, po realizojnë një vizitë zyrtare në SHBA, në kuadër të marrjes së Presidencës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Shqipëria më 1 qershor.

Sipas njoftimit nga Kryeministria e Shqipërisë, në takimin Rama-Guterres u diskutua për “programin dhe përparësitë e presidencës shqiptare të KS-OKB-së dhe gatishmërinë për të ofruar kontributin e saj në shërbim të paqes dhe sigurisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ndërkombëtar”.

Kujtojmë se Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023.

Shqipëria do të marrë për herë të parë Presidencën në KS-OKB në periudhën 1 qershor – 30 qershor 2022.

Kategoritë
LajmeRajoni