Kryeministri i Polonisë, Morawiecki: 250 tanke i kemi dërguar Ukrainës

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki deklaroi se “Perëndimi duhet të jetë më i guximshëm në mbështetjen për Ukrainën duke dërguar armë moderne”

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se vendi i tij vazhdon të mbështesë Ukrainën me armë dhe se deri më tani kanë dërguar 250 tanke në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Morawiecki në një intervistë për televizionin francez LCI tha se të ndihmosh Ukrainën të mbrojë lirinë e saj do të thotë të mbrosh vlerat evropiane.

Duke theksuar se do ta mbështesë nëse del në plan të parë çështja e dërgimit të avionëve luftarakë në Ukrainë, Morawiecki tha: “Megjithatë, ky sigurisht mund të jetë një vendim që do të marrë NATO”.

Morawiecki theksoi se “Perëndimi duhet të jetë më i guximshëm në mbështetjen e Ukrainës duke ofruar armë moderne”. Ai shtoi se Polonia vazhdon të mbështesë Ukrainën me armë.

“Deri më tani ne kemi dërguar 250 tanke në Ukrainë. Do të dërgojmë edhe 60 tanke të tjera më të avancuara në javët në vijim. Do të dorëzojmë edhe 14 tanke të tjera ‘Leopard’. Kështu, ky numër do të arrijë në 300”, përfundoi kryeministri polak.

Kategoritë
BotaLajme