Kryeministri i Singaporit: “Bota nuk mund të përballojë një konflikt mes Kinës dhe SHBA-së”

“Tensionet mes dy vendeve duhet të zgjidhen hap pas hapi”, tha Lee i cili shtoi se fillimisht duhet të stabilizohen marrëdhëniet dhe më pas të ndërtohet besimi gradualisht

Kryeministri i Singaporit, Lee Hsien Loong deklaroi se bota nuk do të mund të përballojë një konflikt të mundshëm mes Kinës dhe SHBA-së, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të CNA, në një intervistë për televizionin shtetëror CCTV të Kinës, Lee ka paralajmëruar lidhur me marrëdhëniet që përkeqësohen mes SHBA-së dhe Kinës.

Duke bërë vlerësim lidhur me rritjen e ndikimit politik dhe ekonomik të Kinës në mbarë botën dhe rivalitetin e saj të dukshëm me SHBA-në, Lee tha se “Bota nuk mund të përballojë një konflikt mes Kinës dhe pjesës tjetër të botës dhe kryesisht mes Kinës dhe SHBA-së”.

“Tensionet mes dy vendeve duhet të zgjidhen hap pas hapi”, tha Lee i cili shtoi se fillimisht duhet të stabilizohen marrëdhëniet dhe më pas të ndërtohet besimi gradualisht.

Lee nënvizoi se zgjidhja e problemeve mes dy superfuqive do të marrë kohë. “Nuk është e lehtë dhe ka presion politik tek të dy palët”, tha ai.

Një seri krizash të cilat kanë shkaktuar retorikë agresive në rritje mes SHBA-së dhe Kinës në muajt e fundit, prishin edhe më shumë marrëdhëniet mes Pekinit dhe Washingtonit.

Kategoritë
BotaLajme