Kryeministri i Spanjës vizitë në Shqipëri

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se është vizita e parë zyrtare e një kryeministri spanjoll në Shqipëri. Ai tha se kanë një pritshmëri të lartë nga presidenca spanjolle, e cila do të udhëheqë BE-në në 2023.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia zyrtare e pritjes është mbajtur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ndërsa pas takimit, Rama dhe Sanchez mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se është vizita e parë zyrtare e një kryeministri spanjoll në Shqipëri. Ai tha se kanë një pritshmëri të lartë nga presidenca spanjolle, e cila do të udhëheqë Bashkimin Evropian në 2023.

“Kemi folur me kryeministrin, natyrisht, për rajonin, të cilin ai po e viziton, kemi folur për nismat rajonale, kemi folur për mënyrën sesi ne mund ta integrojmë këtë proces nismash rajonale me procesin që nis me idenë e komunitetit të ri politik evropian dhe sesi, pa e zëvendësuar kurrsesi dhe pa e anashkaluar procesin individual të çdo vendi në kuadrin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, të krijojmë sinergji të reja të cilat do të na afrojmë shumë më tepër dhe shumë më shpejt me rrjetin e institucioneve evropiane, siç po bëjmë aktualisht dhe po i shohim të mirat me integrimin tonë në sistemin e Emergjencave Civile Evropiane”, tha Rama.

Kryeministri spanjoll tha se uron që rruga që ka filluar Shqipëria drejt BE-së, sipas tij, me në krye Ramën të jetë e suksesshme.

“Nuk mund të kuptohet BE-ja pa Ballkanin. Unë ja thashë dhe kryeministrit Rama, mendoj që është një ide pozitive që përveç proceseve të aderimit dhe marrëveshjeve që bëjmë ne për çdo vend, është e mirë ideja për të krijuar këtë komunitet politik evropian. Pse? Sepse kështu do të kemi mundësi të flasim për shumë tema për të vendosur këtë marrëdhënie në një nivel më të lartë politik midis shteteve të shefave të qeverive dhe në formate shumë më fleksibël”, u shpreh Sanchez.

Duke folur për marrëdhënies bilaterale të dy vendeve, Sanchez tha se “mendoj se duhet ta forcojmë akoma më tepër dhe ka mundësi të mëdha për ndërmarrjet spanjolle që të vinë në infrastrukturë, turizëm, në sektorin energjetik”.

Për luftën Rusi-Ukrainë, Sanchez tha se “Invazioni rus në Ukrainë prek të gjithë integritetin territorial që vë në dyshim jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë rendin ndërkombëtar dhe na ka dhënë shumë probleme dhe shqetësime kjo luftë. Kjo luftë në Evropë nuk do t’i ndryshojë kurrë vlerat që ne na bashkojnë dhe unë besoj që kjo luftë vetëm ka treguar fortësinë e BE-së”.

Ndërkohë, gjatë vizitës së kryeministrit spanjoll, mes Shqipërisë dhe Spanjës u nënshkrua marrëveshje dypalëshe për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme.

Kategoritë
LajmeRajoni